Lajme

Abazoviç: Do filloj ristrukturimin e Qeverisë në ditën kur dështon mocioni i mosbesimit ndaj meje


Dritan Abazoviç

Nëse Qeveria e Malit të Zi nuk bie më 19 gusht në ditën kur në Kuvend do të hidhet në votim mocioni i mosbesimit atëherë Dritan Abazoviç do ta fillojë ristrukturimin e kabinetit të tij.

Kështu të paktën ka bërë të ditur vetë kryeministri në një intervistë në mediumin malazez “Nova M”.

“Për disa parti dhe individë nuk do të ketë më vend në Qeverinë e Malit të Zi, vend do të ketë për ata që duan të punojnë për luftën kundër krimit, rrugën evropiane dhe rimëkëmbjen ekonomike, pra për të hapur dyer dhe perspektiva të reja për Malin e Zi”, ka shtuar ai.

Sipas Abazoviç të gjitha subjektet politike duan të mirën e Malit të Zi, përveç disa individëve të caktuar të cilët duan ta destabilizojnë vendin për shkak të interesave të tyre biznesore dhe financiare.

Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes themeltare ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, pesë parti parlamentare në Mal të Zi kanë dërguar iniciativën për rrëzimin e qeverisë.

Propozimi për mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç u nënshkrua nga 36 deputetë për t’u iniciuar në procedurë parlamentare.

Mediat malazeze raportuan se seanca për mocionin do të jetë më 19 gusht.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp iniciuesit thanë se “Abazoviç i dha fund karrierës politike të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore