Lajme

AAK: Qeveria nuk po ofron zgjidhje por krizë, e tregon greva e sindikalistëve


AAK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës, që me urgjencë ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Pagat.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se Qeveria Kurti po e vë vendin në krizë.

“Ne i rekomandojmë si AAK Qeverisë që me urgjencë të sjellë Ligjin e Pagave në Kuvend, që qeveria të merret seriozisht me arsimin dhe shëndetësinë duke implementuar ligjin për sigurime shëndetësore dhe duke bërë plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti”, deklaroi Dreshaj.

Sipas tij, ekzekutivi nuk po u ofron zgjidhje qytetarëve.

“Kjo Qeveri po prodhon vetëm kriza e jo zgjidhje. Qeveria për një vit vazhdon të prodhojë kriza ekonomike, politike e të mirëqenies në vend duke varfëruar qytetarin. Greva e sotme e sindikalistëve vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjedhje por krizë”, tha ai.

Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ndërsa, për mësimdhënësit u shpreh se po diskriminohen dhe se për shkak të pazotësisë së Qeverisë ata gjenden në situatë të rëndë.

“Mësimdhënësit që dikur ishin shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po diskriminohen. Qeveritarët ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjendjen në situatë shumë të rëndë socio-ekonomike dhe në këtë situatë gjenden për shkak të pazotësisë së qeverisë”.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë qindra punëtorë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur për të protestuar rreth kërkesave të tyre, me 20 maj. 

“Kryeministër realizo kërkesat tona, parandalo grevën e përgjithshme”, ishte njëra ndër pankartat kryesore që po mbajnë në duar protestuesit.

Kërkesa kryesore e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, që është adresuar ndaj institucioneve është që të miratohet sa më shpejtë projektligji për Pagat.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka lejuar zhvillimin e procesit mësimor të premten e 20 majit, si pasojë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Edhe, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore