Lajme

AAK: Qeveria Kurti po ua vështirëson jetën qytetarëve


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), këtë të marte përmes një konference për media ka drejtuar kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ndër të tjera edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin Gjykata Kushtetuese e vlerësoi në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se me politikat e saj është duke ua vështirsuar jetën qytetarëve.

“Ne kemi hyrë në vitin e tretë të qeverisjes Kurti, vit që po përsëritet dhe asgjë nuk është duke ndodhur. Ajo që dua të them sot është që qasja e kësaj Qeverie është qasje autoritare. Presioni i parë politik është duke rënë mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju keni parë se si Qeveria tenton të jetë mbi. Presioni dhe tendenca për t’i kapur institucionet e pavarura, pra KPK-ja (këshilli prokurorial i Kosovës)”, tha kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ndërkaq, sipas deputetit të kësaj partie, Pal Lekaj, Qeveria e udhëhequr nga Kurti, gjatë këtyre dy viteve në qeverisje nuk ka bërë asgjë që është në interes të qytetarëve të Kosovës, ndërsa kritikoi mos kalimin e Projektligjit të Pagës Minimale dhe mungesën e investimeve në infarstrukturë e në shkolla, dhe po ashtu përsëriti kërkesën për uljen e TVSH-së, e që nga ekzekutivi është injoruar.

“Nëse nisemi në sektorin privat, paga minimale është 170, ndërsa ligji për pagën minimale është në sirtarët e Kuvendit. Kemi kërkuar që të zbritet TVSh- ja në produktet bazë por që nuk është marrë parasysh. Nuk kemi investime, nëse e shihni infrastrukturën rrugore dhe në shkolla. Kjo Qeveri në vend se t’ua lehtësojë jetën qytetarëve, po ua bën më të vështirë. Nuk kemi njohje. Kjo Qeveri do të mbahet mend si mosshpenzueshmëri të parasë publike”, tha Lekaj.

Tutje, ai vlerësoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës nën udhëheqjen e Kurtit ka stagnuar dhe po ashtu potencoi se ngritja e tarifave te energjisë elektrike ia vështirëson jetën qytetarëve.

“Nëse flasim për ekonomi, kemi një stagnim në aspektin e zhvillimit ekonomik në vend e cila ka vështirësuar në masë të madhe jetën e qytetarëve. Në sektorin privat, paga minimale është 170 euro e ndërkaq Ligji për Pagën Minimale vazhdon të qëndrojë në sirtarët e Kuvendit. Në energji, e dimë gjithë se ZRrE ka marrë vendim për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 15 përqind, vendim i cili vështirëson edhe më tej mirëqenien në vend”, nënvizoi Lekaj.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi për media me 24 mars ka bërë të ditur se e ka shpallur në kundërshtim me Kushtetutën Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

E gjithë kjo ka ardhur pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e partive opozitare, respektivisht ligjvënësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

Në këtë njoftim thuhet se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses, tregon se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës”.

Gjithashtu, “paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës”.

Shkeljet vazhdojnë edhe te “paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore