Shqipëria

A po i zë në befasi arsimtarët në Shqipëri inteligjenca artificiale?


Fjala që të vjen ndërmend është “krizë”. Por a mund të quhet i tillë dueli me të cilin po përballet  sistemi arsimor – edhe në Shqipëri – për shkak të inteligjencës artificiale?

Inteligjenca artificiale po i zë në befasi arsimtarët”.

E këtij mendimi është mësuesja Irida Xhura, e pyetur nga Albanian Post, e cila parashikon se pasojat e vrullit teknologjik që përqafohet shpejt nga të rinjtë, do të vërehen pas dhjetë a më shumë vitesh.

Por, sipas saj, parandalimi duhet të fillojë tani, pa vonesa të panevojshme.

Inteligjenca artificiale e ka mbërthyer çdo sferë të shoqërisë me ritme të shpejta. Ama, më me shqetësim, po shihet përdorimi nga nxënësit e shkollave për të kryer detyrat shkollore.

Inteligjenca Artificiale u kthye në kryefjalën e vitit 2023 dhe tani po zgjerohet edhe më tej ‘pushteti’ i saj në sfera të ndryshme të shoqërisë, ndër më të cenueshmet: shkolla. Çka besohet se mund të çojë në “mbi-varësi teknologjike”, duke reduktuar aftësinë ose motivimin e fëmijëve për të menduar në mënyrë kritike dhe të pavarur.

E nga ana tjetër, pamundësia në dukje për ta ndaluar këtë ndërhyrje artificiale, si një pengesë në zhvillimin dhe performancën e tyre shkollore.

Nxënësit i përqafojnë më shpejt se mësuesit risitë teknologjike e veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjidhje të shpejta si ato që ofron inteligjenca artificiale, pohon mësuesja.

Sfida që shtrohet, mendon ajo, lidhet me përditësimin e mësuesve lidhur me përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie dhe me ndërgjegjësimin e nxënësve mbi anët negative të përdorimit të inteligjencës artificiale në kryerjen e detyrave.

“Një pjesë e madhe e mësuesve ende hasin vështirësi në përdorimin e programeve bazë kompjuterike. Duhet të aftësohen të përdorin programe, të cilat hetojnë nëse detyra është apo jo punim origjinal”, ravijëzon Xhura.

Ministria e Arsimit, në optikën e saj, duhet të zhvillojë trajnime të vazhdueshme krahas pasurimit të shkollave me mjete didaktike elektronike.

Ndërkohë, pasojat janë bërë tanimë të dukshme.

Ajo tregon se te nxënësit është ulur ndjeshëm vëmendja, përqendrimi, kreativiteti. Ata priren t’i gjenerojnë informacionet nga sistemi informacionet dhe të mos e verifikojnë vërtetësinë e tyre; të mësuarit me pajisje elektronike është vërtetuar se ul aftësitë e të kuptuarit dhe të shkruarit.

“Inteligjenca artificiale po skllavëron mendjen e të rinjve dhe po zë në befasi arsimtarët. Pasojat do të shihen pas 10 a më shumë vitesh, por parandalimi duhet të fillojë tani”, veçon ajo.

Por si mund të stimulohen fëmijët për tu shkëputur nga ‘produkti i shpejtë i internetit dhe inteligjencës artificiale’?

Xhura rendit disa rrugë që mund të ndiqen për të ndrequr tablonë e zymtë:

-Duke vlerësuar maksimalisht vetëm ata nxënës, të cilët në realizimin e detyrave janë origjinalë.

-Duke përgëzuar nxënësit që sjellin idetë e tyre, që përdorin si burime librat dhe i citojnë ato.

-Duke krijuar tema diskutimi në klasë për të nxitur mendimin kritik dhe duke përfshirë nxënësit në debate dhe veprimtari aktive, në zgjidhje situatash problemore.

-Duhet të lihen pak detyra për në shtëpi, duhet të shfrytëzohet koha në shkollë.

Sipas saj, një nga arsyet pse përdoret inteligjenca artificiale është mbingarkesa me detyra. Shumë detyra, pak kohë.

Përdorimi i kontrolluar i inteligjencës artificiale dhe i teknologjisë në përgjithësi është zgjidhja më e mirë, sugjeron ajo.

“Sistemi arsimor duhet të ecë paralelisht me ndryshimet shoqërore, t’u përshtatet interesave të nxënësve dhe mësimdhënia të jetë sa më tërheqëse”.

Po ashtu thotë se është e rëndësishme të mos të lejohet që të tkurrë inteligjencën natyrale të njeriut.

“Truri është një muskul që lëviz edhe botën, po të mos jetë në gjumë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore