A po doni kesh?

Njëherë 25 mijë, herën tjetër 12 mijë e 500, pastaj 36 mijë, në ndërkohë edhe 5 mijë e 700...
SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Valon Rashiti
02.10.2024 10:00
Loading Icons...

Në mënyrë që të sigurohet për rizgjedhjen e tij në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në vitin 2022, Agim Ademi, kishte shpërndarë para ilegalisht në xhirollogari private të pronarëve të klubeve.

Një nga këto transaksione jo ligjore është edhe ai me presidentin e klubit të “Feronikelit” nga Drenasi.

Në bazë të transaksioneve bankare që ka siguruar Albanian Post, rezulton se transferimi i mjeteve financiare nga të drejtat televizive për “Niklin” në xhirollogarinë private të presidentit Erlind Krasniqi, kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2022.

Fiks një muaj para se të mbahej Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, ku u rizgjodh Ademi në krye të Shtëpisë së Futbollit të Kosovës, prill 2022.

FFK me vetëdije bëri pagesën në llogarinë private të Erlind Krasniqit, pasi që FIFA paraprakisht kishte bllokuar llogaritë e  KF Feronikelit, për shkak të borxheve që klubi në fjalë kishte ndaj futbollistëve.

Ademi në vend që të respektojë ligjshmërinë dhe të zbatojë vendimin e FIFA-s, me vetëdije i ikë zbatimit të vendimit të FIFA-s dhe detyrimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Ishin plotë 25 mijë euro që Krasniqi i mori në konto private nga FFK-ja nën direktivat e Ademit.

Por, nuk përfundon me kaq.

Gjashtë ditë më vonë, FFK-ja transferoi edhe 12 mijë e 500 euro të tjera te Krasniqi, prapë në xhirollogari private.

Në total janë 37 mijë e 500 euro që FFK-ja ia dha presidentit të klubit nga Drenasi.

Albanian Post ka kontaktuar me Krasniqin për këtë çështje, i cili, përmes telefonit, premtoi se do të dërgonte një përgjigje, por deri në publikimin e këtij artikulli përgjigja ka munguar.

Të njëjtën strategji kreu i FFK-së, Agim Ademi, e kishte ndjekur edhe më parë, me FC Vushtrrinë.

Gjatë vitit 2020, në muajin janar, pak ditë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, plot 36 mijë e 134 euro e 60 cent i ishin alokuar nga FFK-ja në xhirollogari të “Viciana Sports”, klub në pronësi të Bajrush Kajtazit.

Këto mjete i takonin FC Vushtrrisë – ku Kajtazi mbante atëkohë pozitën e kryetarit – por që iu transferuan kundërligjshëm një klubi tjetër që është në pronësi të të njëjtit person.

Albanian Post ka tentuar që të kontaktojë edhe me biznesmenin nga Vushtrria, por që ka qenë e pamundur të marrë një përgjigje nga ai.

Keqpërdorimet nuk përfundojnë me kaq.

Në ditën që ishte mbajtur Kuvendi, FFK-ja ia kishte transferuar në xhirollogari private Merita Morines, asistente e Agim Ademit, 5 mijë e 700 euro.

Si shkak për transferimin e këtyre të hollave ishte që kjo shumë t’iu shpërndahet 58 delegatëve që ishin pjesëmarrës në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, i cili u mbajt më 27 janar 2020.

Por, kjo formë e shpërndarjes së parave është e kundërligjshme. Sipas Ligjit për Pastrimin e Parave, nenit 29, të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ-ve kryhen nëpërmjet institucioneve financiare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ky është hulumtimi i tretë që Albanian Post e ka bërë ne lidhje me keqpërdorimet në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Para disa ditëve, AP fillimisht raportoi se si përmes një sistemi korruptiv të sofistikuar, Agim Ademi, kryetar i FFK-s, u ka shpërndarë para nga buxheti i FFK-së biznesmenëve të ndryshëm të lidhur me të, familjarëve të tij, pronarëve të klubeve, përfaqësuesve të tifozëve të Kosovës e analistëve të ndryshëm që mbrojnë Ademin dhe udhëheqjen e tij në FFK në studio televizive.

Përmes të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, dëshmohet se dhjetëra njerëz të afërt me Agim Ademin, kanë fituar para kundërligjshëm nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.

Në artikullin e dytë për keqpërdorimet në FFK, AP ka raportuar për nepotizmin masiv që është bërë në Shtëpinë e Futbollit, e cila është shndërruar në një “çerdhe” ku punësohen gratë, djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë që punojnë aty.

Pas një hulumtimi të gjatë që ka bërë Albanian Post, ka kuptuar për disa nga emrat e familjarëve të zyrtarëve të FFK-së që janë sistemuar ndër vite.

Vazhdon…