Lajme

A ka pasoja në funksionalitetin e institucioneve pas largimit të serbëve? – Ekspertët sqarojnë për Albanian Post


“Institucionet e Kosovës mund të funksionojnë edhe pa Listën Serbe, por largimi i tyre mund të shkaktojë probleme në funksionim Kuvendit të Kosovës”, thotë njohës i çështjeve kushtetuese Mentor Beqiri për Albanian Post.

“Ligjet e rëndësisë se veçantë dhe marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ratifikohen në Kuvend, pa praninë dhe votën e tyre”, thekson Beqiri.

Lista Serbe vendosen të largohen dhe njoftuan se nuk do të kthehen deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe.

Pos legjislativit, për juristin Arbër Jashari, largimi i strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në Veri nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës do të ketë pasoja jashtëzakonisht të mëdha për funksionimin e rendit dhe ligjit.

“Rrjedhimisht i bije që në atë pjesë nuk do të ketë më policë lokal, prokurorë, as gjyqtarë çka i bënë ato komuna, oaza të anarkisë. Pasojat do të jenë të rënda për të gjitha komunitetet”, thekson Jashari për AP.

“Sidomos në gjykata dhe prokurori, ku punohet me staf të përzier dhe lëndët trajtohen pa dallime etnike”.

Ai mendon se nëse vazhdohet shumë gjatë kështu, gjendja do bëhet më e keqe, “si ka qenë në kohen e strukturave paralele”, pasi shton se “situata në terren tani është e rrezikshme për faktin se ish policët dorëzuan uniformat, por jo edhe armët”.

“Mbase serbët do të marrin pretekst, për organizime shtetërore, jashtë sistemit kushtetues të Kosovës”, shton ai.

Ndërsa juristi tjetër Anton Nrecaj, konsideron që këtë të shtune, “ishim dëshmitarë të përsëritjes së skenarëve të viteve 90-ta, skenar të cilët pasuan me luftën e përgjakshme në ish Jugosllavi”.

“Ky veprim politik do të shkaktojë probleme të mëdha në funksionimin e institucioneve të shtetit, dhe nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje politike de fakto do të kemi fillim e rikrijimit zyrtar të institucioneve paralele serbe në veri të vendit”.

Largimi i Listës Serbe nga institucionet do të krijojë boshllëk institucioneve në Kuvend, si Qeveri ashtu edhe në organet e rendit dhe do të jetë po ashtu edhe një situatë ku disa ligje nuk do të mund të kalojnë.

“Kjo paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin e vendit është një indikator që tregon se edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës në veri të Kosovës janë nën kontrollin e një partie politike ky është problemi dhe rreziku më i madh ku cenohet siguria dhe rendi juridik i vendit”.

Kurti s’tërhiqet nga vendimi për qortimet – Beogradi po do destabilizim të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore