Lajme

A ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës?


Ilustrim

Si një “fitore të vogël diplomatike” Serbia e kishte cilësuar pretendimin e saj se ka arritur t’i bind shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të mos e diskutuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mbledhjen e radhës së Komitetit të Ministrave të mërkurën, megjithatë për ish-konsullen e Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, një gjë e tillë nuk është një “fitore” e Serbisë, por fiasko e Qeverisë së Kosovës.

Edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka demantuar pretendimet e shefes së misionit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Aleksandra Gjuroviç, duke i quajtur ato dezinformata për diplomaten Ahmetaj, Qeveria e Kosovës ka dështuar tash e disa herë ta vendos në agjendë aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Serbia nuk mund ta bllokojë procesin, për me tepër Beogradi është shumë më i dobët pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës. ‘Fitoren’ ia kemi servuar ne Serbisë, mundi i saj për të mos e futur në agjendë çështjen e Kosovës ka qenë minimal. Kjo është një autogol për neve”, ka thënë Ahmetaj për Albanian Post.

Pretendimet e Serbisë sipas zëvendëskryetarit të organizatës jo-qeveritare, “European Stability Initiative” dhe anëtarit të institutit për Shkenca Humane “IWM” Kristof Bender, janë të pasakta.

Por, çka është e saktë në gjithë këtë mes, sipas Bender, është se disa nga shtetet më të mëdha anëtare po hezitojnë të lëvizin shpejt drejt pranimit të Kosovës si anëtare në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Kjo është për të ardhur keq, pasi pranimi i shpejtë i Kosovës do të ishte një shenjë e qartë dhe urgjentisht e nevojshme në mbështetje të demokracisë dhe integritetit territorial në Evropën Juglindore”, ka thënë Bender për Albanian Post.

Njëra ndër argumentet e Serbisë se pse Kosova nuk duhet të pranohet në Këshillin e Evropës është se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare paraqet shkelje të statutit të Këshillit të Evropës.

Megjithatë, argumenti i Serbisë, sipas Ahmetaj, nuk qëndron. Kjo pasi që Kosova është anëtarësuar në Komisionin e Venecias dhe Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës kur në fuqi ka qenë i njëjti statut.

“Anëtarësimi i Kosovës nuk e cenon aspak statutin e Këshillit të Evropës. Në atë kohë madje Rusia ka qenë ende anëtare e Këshillit të Evropës. Statuti i Këshillit të Evropës nuk e ndalon në asnjë fjalë ose fjali mundësinë e aplikimit për anëtarësim. Vendimet këtu merren me shumicë votash dhe shtetet nuk kanë të drejtën e Vetos”, ka shtuar ajo.

Se anëtarësimi i Kosovës nuk do të shkelte statutin e Këshillit të Evropës e thotë edhe Bender.

“Kjo u konfirmua së fundmi edhe nga Drejtoria e Këshillimit Ligjor dhe të Drejtës Ndërkombëtare Publike të Këshillit të Evropës. Çështja nuk është se nëse Kosova do të anëtarësohet, pyetja është se kur?”, ka deklaruar ai për AP.

Sipas tij, nuk ka asnjë argument të vetëm të arsyeshëm se pse Kosova duhet të mbetet e vetmja demokraci evropiane që nuk është pjesë e kësaj organizate.

“Këshilli i Evropës u themelua në vitin 1949 nga demokracitë evropiane për të siguruar që shtetet e tij anëtare të mbeten demokratike. Ajo që me të vërtetë do të ndihmonte tani Kosovën është që shtetet anëtare kyçe, veçanërisht Gjermania dhe Franca që pretendojnë për vite të tëra se ‘mbështesin të ardhmen evropiane të Kosovës’, të flasin më qartë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”.

Çka ndodhi?

Serbia të mërkurën ka pretenduar se ka arritur t’i bind shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, që kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të mos jetë në agjendën e takimit të djeshëm të Komitetit të Ministrave në nivel ambasadorësh në Strasburg.

Megjithatë pretendimet e Serbisë ishin mohuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, një gjë e tillë ishte një dezinformat e radhës, pasi që aplikimi i Kosovës për në Këshillin e Evropës nuk ishte i paraparë të ishte dje në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Më 12 maj Kosova kishte aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e kishte bërë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Gërvalla, në një paraqitje para mediave pas aplikimit në këtë organizatë, kishte theksuar se pret që shteti të anëtarësohet shpejt në këtë institucion duke shtuar se ka “shpresë që pas pushimit të verës të nisin procedurat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit”.

Përveç kësaj, Gërvalla kishte nënvizuar faktin se Kosova gëzon përkrahje politike nga një “numër tejet i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qofshin ato njohëse apo mosnjohëse”.

Procedurat e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.

Këshilli i Evropës është organ krejtësisht e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Këshilli nuk kontrollohet nga BE-ja.

Sipas procedurës, aplikacionin e një shteti fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare.

Kjo Asamble përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore