Aplikacione

A i mbron përdoruesit ‘ndalimi’ i TikTok-ut?


Për vite me radhë, beteja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me platformën TikTok mbi shqetësimet e privatësisë së të dhënave dhe ndikimin kinez është ndezur.

Masat e fundit kanë sjellë kampuset e kolegjeve në ballë – me një numër shkollash që e ndalojnë aplikacionin tërësisht në Wi-Fi të kampusit.

Kurse studentët i janë përgjigjur masës në TikTok.

Ata kanë shprehur zemërim për bllokimin e aplikacionit të tyre të preferuar në universitete si Auburn, Oklahoma dhe Texas A&M në muajt e fundit.

“A nuk e kuptojnë se njerëzit në kolegj janë në të vërtetë të rritur?”, ka thënë një përdorues.

“Ne duhet të marrim vendimin tonë të pavarur për të përdorur ose jo TikTok-un”, ka thënë një tjetër.

Sakaq, masat vijnë në mes të një kaskade ndalimesh të TikTok-ut nga ligjvënësit shtetërorë dhe federalë në SHBA, të cilët thonë se kompania mëmë me bazë në Kinë, ByteDance, mund të mbledhë të dhëna të ndjeshme të përdoruesit.

Po ashtu mund të censurojë përmbajtjen që bie ndesh me kërkesat e partisë komuniste kineze.

TikTok-u u shënjestrua për herë të parë seriozisht nga administrata e ish-presidentit Donald Trump në vitin 2020, me një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës që ndalonte kompanitë amerikane të bënin biznes me ByteDance.

Më vonë, kjo masë u revokua nga presidenti Joe Biden në qershor 2021. Por problemet e kompanisë nuk kishin përfunduar.

Presidenti aktual përcaktoi që komiteti amerikan për investimet e huaja (CFIUS) të kryejë një rishikim të sigurisë të platformës dhe sugjeroi një rrugë përpara për të shmangur një ndalim të përhershëm.

Ky shqyrtim është në vazhdim, pa asnjë afat kohor të publikuar për një vendim përfundimtar.

Ndërkohë, shtetet kanë ndërmarrë veprimet e tyre, me Kongresin që miratoi një ndalim të TikTok-ut në të gjitha pajisjet federale në dhjetor dhe 31 shtete individuale ndaluan aplikacionin në pajisjet qeveritare, shumica e të cilave u miratuan në dy muajt e fundit.

Shumica e ndalimeve të kampusit janë kryer në shtete që kanë miratuar tashmë rregullat e tyre kundër aplikacionit, por mbeten pyetje se sa ndikim do të jenë masat e tilla.

Shpesh, shkollat bllokojnë ose rregullojnë trafikun në website të caktuara në rrjetet Wi-Fi të kampusit, duke përfshirë përmbajtje të dëmshme dhe pornografi dhe masa të tilla mund të shtrihen në aplikacione specifike.

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë kanë thënë se këto ndalime janë mjaft të lehta për t’u anashkaluar, pasi aplikacioni do të ndalohet vetëm në Wi-Fi të përbashkët të kampusit dhe jo në pajisje individuale.

Për të anashkaluar bllokimin, studentët thjesht mund të çaktivizojnë Wi-Fi dhe të përdorin të dhëna personale celulare.

Por një numër i shtuar i studentëve që përdorin ekskluzivisht të dhëna në vend të Wi-Fi mund të shkaktojë probleme shtesë, si bllokimi i rrjeteve të të dhënave në kampuse, duke bërë që pajisjet e studentëve të funksionojnë më ngadalë dhe jo-efektivisht.

Kurse shumë avokatë të lirisë në internet kanë vënë në pikëpyetje politikat, duke thënë se ato përbëjnë censurë dhe janë kryesisht mashtrime për ndikim në një kohë kur synimi i teknologjisë kineze është politikisht i dobishëm.

Ndërsa të tjerë thonë se veprime të tilla do të rriten vetëm në muajt e ardhshëm, teksa sezoni i zgjedhjeve po afrohet dhe politikanët përpiqen të kalojnë njëri-tjetrin me masa të reja.

Shumë që kundërshtojnë masa të tilla kanë bërë thirrje për një përpjekje më të gjerë për të adresuar disa nga çështjet e ngritura nga betejat e fundit ligjore të TikTok-ut, duke përfshirë nevojën për një ligj kombëtar për privatësinë e të dhënave.

Këtë, duke mandatuar transparencën e të dhënave dhe kodimin e mesazheve në platformat sociale.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore