Lajme

A është Kushtetuta e Kosovës problemi (i dëshiruar) i Qeverisë Kurti?


Ilustrim

Një mori ligjesh të përpiluara nga Qeveria aktuale e Kosovës kanë rezultuar të jenë anti-kushtetuese me vendim të Gjykatës.

Disa shkelje dolën të jenë krejtësisht elementare. Një njohje mesatare e Kushtetutës do t’i parandalonte.

Shto këtu faktin se çdo ministri ka ekspertët ligjorë që i shqyrtojnë ligjet paraprakisht e nxjerr krejtësisht të pakuptueshme situatën me kaq shumë mos-pajtime me Kushtetutën.

Një ide mund të jetë – edhe pse në dukje radikale – se Qeveria me ligjet anti-kushtetuese dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj Gjykatës Kushtetuese po e krijon armikun e ri për ballafaqim, pasi opozita më s’përbën përplasje të mjaftueshme.

Mbase Qeveria aktuale e Kosovës po dëshiron një betejë frontale me Gjykatën Kushtetuese për t’i arsyetuar dështimet në qeverisje e krijimin e një tregimi se “ne punuam, por ja që Kushtetuesja na i bllokojë reformat”.

Kjo mund të jetë edhe logjika e tyre politike, që në fund të fundit të fitohet beteja publike.

Si mund të shpjegohet ndryshe rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës? A mund të besohet që të gjithë juristët e qeverisë nuk dinë të lexojnë nenet e kushtetutës?

BQK qartësisht ka tejkaluar kompetencat e veta me rregulloren e fundit.

Siç e shpjegon edhe juristi Ardian Bajraktari për Albanian Post, “rregullorja e BQK-së është anti-ligjore në bindjen time”.

Pika e parë e nenit të 16-të të Ligjit për BQK-në sugjeron se “valuta e Kosovës do të përcaktohet me ligj në përputhje me nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës”.

Ndërsa neni 11 i Kushtetutës përcakton se Kosova do të ketë vetëm një valutë duke lënë në domenin e Kuvendit të Kosovës të vendos se cila është kjo valutë monetare.

Pra, BQK ka autoritet të plotë të menaxhojë gjithçka rreth kësaj valutë të vetme, por vetëm pasi Kuvendi i Kosovës ta përcaktojë se cila është kjo valutë.

“Për aq kohë sa thuhet që valuta përcaktohet me ligj atëherë Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ i cili ka mandat me kushtetutë me nxjerrë ligje dhe asnjë institucion tjetër nuk mund të ndërmerr veprime ose përcakton çka do tjetër në këtë drejtim në kuptim të procedurës”, potencon Bajraktari për AP.

Deri më sot, Kuvendi i Kosovës nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kuvendi akoma as nuk e ka aprovuar një ligj mbi valutën zyrtare.

Pra, në aspekt krejtësisht teknik, ligjërisht euro akoma nuk është valutë zyrtare në Kosovë.

“Me sa e di unë, nuk kemi ligj që në mënyrë shprehimore që përcakton që valuta e vetme në Kosovë është euroja”, vlerëson Bajraktari.

Për ta sqaruar më tutje, shkelja juridike është bërë nga BQK-ja dhe jo nga Qeveria.

Prandaj, Guvernatori i BQK-së duhet të kërkojë llogari nga zyra e vet juridike fillimisht e më pastaj të japë përgjegjësi para Kuvendit pse situata ka agravuar deri në një turpërim të Kosovës para botës.

Le të kthehemi te hipoteza.

Mos Qeveria e Kosovës (në këtë rast përmes BQK-së) qëllimisht po përpilon ligje antikushtetuese për të portretizuar Gjykatën Kushtetuese si armik në mënyrë që të arsyetohen më pastaj?

“Po, mbase të gjitha këto mund të jenë të vërteta”, thotë për Albanian Post, Afrim Kasolli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithsesi në vlerësimin e tij problemi mund ta ketë gjenezën diku tjetër – te botëkuptimi politikë e ideologjik të partisë në pushtete në raport me rendin kushtetues të Kosovës.

“Mirëpo, gjenealogjia doktrinare e Lëvizjes Vetëvendosje derivon nga ato tradita që me shumë e afirmojnë mendësinë e popullzimit. Sipas të cilës vullneti i popullit është suprem dhe çdo akt tjetër i subordinohet këtij entiteti ‘abstrakt’”, thotë Kasolli për Albanian Post.

Megjithatë, sipas Kasollit, problemi është se populli kurrë nuk është kategori homogjene.

“Ai është kategori plurale. Në terminologjinë politike ky model ndryshe njihet si ‘demokraci jo liberale’. Pas rënies së komunizmit esencën e këtij rendi e kishte analizuar studiuesi i njohur Fareed Zakaria. Çdo gjë që nuk i nënshtrohet kësaj skeme konsiderohet si vullnet privat”, shton ai.

Në anën tjetër, ndryshe nga kjo trashëgimi, paradigma e demokracive kushtetuese, potencon më tej Kasolli, ndërtohet mbi parimin e sundimit të ligjit.

“Në këtë kontekst, telashet e Vetëvendosjes me rendin kushtetues duhet kuptuar edhe nga ky dimension. Sepse për mbartësit e pushtetit aktual i tërë rendi politik në Kosovë duhet të normohet mbi tri parime tjera, vullneti i popullit i manifestuar me 14 shkurt 2021, subjekti që e përfaqëson atë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe Lideri, që është mishërim i kësaj fryme homogjene”.

Prandaj, sipas botëkuptimit të tyre dogmatik, konsideron Kasolli, Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë ta refuzojë legjislacionin e tyre, sepse ky fundit buron nga ata që kanë mandat nga populli.

“Dhe nuk ka asnjë instancë që mund t’i kundërvihet vullnetit të tij. Ndërkohë, pamundësia e këtij pushteti për t’u përshtatur me rregullat e demokracisë sonë kushtetuese do të ndikojë që të shtohet edhe më shumë armiqësia e tij ndaj asaj instance që ka mandat për ta mbrojtur atë siç është Gjykata Kushtetuese”.

Vazhdimi i kësaj logjike politike me doemos në vlerësimin e Kasollit do të shndërrohet në ushqim kolektiv për forcimin e sentimeteve popullsite të cilat qëndrojnë në antinomi me demokracinë kushtetuese.

Edhe për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duket e vështirë të jetë qëllim në vete shkelja e Kushtetutës.

“Mendoj që është tejet spekulative të mendohet në këtë drejtim, pra duke i dështuar qëllimshëm projektet në mënyrë që të arsyetohen pastaj”, thotë ai fillimisht për Albanian Post.

Sipas analistit politik problemi qëndron diku tjetër.

“Mënyra se si janë shkruar këto ligje dhe qasja që ka pasur qeveria për këto reforma është tejet shqetësuese meqë bie ndesh jo vetëm me parimet kushtetuese të Republikës sonë, por edhe me vet idenë e të drejtave të njeriut në disa raste”, pohon ai.

Gjë që një qasje e tillë, sipas Ymerit tregon, se kemi një qeveri e cila nuk kujdeset fare për të drejtat e njeriut dhe që i sheh ato të nënshtruara ndaj projektimit të tyre për një shoqëri tjetër.

“Dhe nëse e vendos problemin kështu, pra ku në njërën anë qeverie propozon një jetë më të mirë, e në anën tjetër Kushtetuta nuk po e lejoka një gjë të tillë atëherë i bie që duhet ndërruar fundamenti kushtetues. Nuk e di nëse ky është qëllimi i qeverisë, por kjo do të kishte me qenë përgjigja logjike ndaj një situate të tillë”.

Megjithatë në vlerësimin e Ymerit kjo kundërshti mes një shoqërie më të mirë dhe Kushtetutës së Republikës është kundërshti e rreme.

“Kushtetuta pikërisht e parasheh dhe kushtëzon ndërtimin e një shoqërie demokratike, liberale, të lirë e qytetare. E kjo ide për shoqërinë e sanksionuar në Kushtetutë duket të bie ndesh me idenë e pushtetit për një shoqëri tjetër”.

Sulmet e pushtetit ndaj gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, beson Ymeri, kanë për qëllim trasimin e rrugës për zëvendësimin të tyre me gjykatës që do të përkrahnin qeverinë.

“Një gjë e tillë do të kishte qenë cenim serioz i rendit demokratik, i ndarjes së pushteteve dhe fundamentit të Republikës”.

Një shpjegim më profesional nga fusha për këtë çështje ka avokati, Ardian Bajraktari, i cili duke u bazuar në faktin se procesi i hartimit të legjislacionit është një proces bukur i komplikuar, vlerëson se Qeveria, mazhoranca dhe Kuvendi duhet të angazhojnë që t’i dëgjojnë më tepër ekspertët e fushave të ndryshme që të mos vije në një situatë të hartimit e miratimit të ligjeve që po rezultojnë të jenë anti-kushtetuese.

“Qeveria dhe mazhoranca dhe kushdo tjetër duhet të rezervohet sa më tepër që të jetë e mundur me sulme dhe etiketime në adresë të sistemit gjyqësor aq më tepër në adresë të Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore