Kosova

A është i realizueshëm premtimi i Kurtit për ta paditur Serbinë për krime lufte?


Në ekspozenë e tij si kryeministër të hënën para ligjvënëseve kosovarë, Albin Kurti, tha se nën drejtimin e tij do të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime të kryera gjatë luftës, në vitin 1998 dhe 1999 ndaj popullatës civile shqiptare.

Megjithatë, padia sipas njohësit të çështjeve kushtetuese, Kushtrim Palushi, nuk mund të bëhet dot, pasi Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Si rrjedhojë e kësaj Kosova nuk mund të padisë asnjë shtet dhe as të paditet nga ndonjë shtet në këtë Gjykatë. Prandaj, çfarëdo premtimi për padi ndaj Serbisë në GjND nuk mund të realizohet në mënyrë të suksesshme. Nëse Kosova megjithatë dorëzon padi në GjND kundër Serbisë, e njëjta do të hedhet poshtë, përkatësisht nuk do të trajtohej fare për arsye se Kosova nuk është anëtare e kësaj Gjykate”, tha Palushi për Albanian Post.

Sipas tij “një padi e tillë do të mund të bëhej vetëm në rast se Kosova bëhet anëtare e OKB-së dhe e GjND-së apo nëse Serbia në mënyrë të njëanshme do të pranonte juridiksionin e GjND-së për një padi eventuale të Kosovës pranë kësaj Gjykate”.

“Një gjë e tillë, megjithatë, është e pamundur të ndodhë”.

“Kosova mund të angazhojë ekspertë të jashtëm për të analizuar mundësinë e padisë ndaj Serbisë nën teorinë që Kosova si shtet trashëgues i Jugosllavisë ka trashëguar edhe traktetet ndërkombëtare në të cilat ka qenë anëtare Jugosllavia dhe se si rrjedhojë e kësaj është antëare edhe e Statutit të GjND-së”.

Palushi thotë se një teori tjetër e cila duhet analizuar nga ekspertët është nëse padia eventuale mund të bëhet duke u thirrur në shkelje të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe shkelje të të drejtave që njihen si të drejta jus cogens apo të drejta të patjetërsueshme.

Ndryshe nga Palushi, Adi Beqiri, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shkolla e Diplomacisë në Gjenevë, tha për Albanian Post se është koha e fundit që Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid në GJND.

Beqiri përmend dy mënyra se si mund ta bëjë Kosova padinë ndaj Serbisë edhe pse nuk është e pranuar në OKB.

“Kosova mund të përdor një shtet të tretë i cili do të mund të inicionte rastin për gjenocid ndaj Serbisë, sikurse është rasti i Gambisë kundër Miamarit sa i përket gjenocid të pretenduar nga ana e tyre”, potencoi Beqiri.

“Një mënyrë tjetër është përdorimi i një organizate e cila do të ngiste padi ndaj Serbisë, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila do të kërkonte një opinion nga GJND se a ka pasur gjenocid a jo”.

Beqiri mendon se padia eventuale ndaj Serbisë, do të bënte jehonë ndërkombëtare dhe do të rifreskoheshin edhe njëherë në kokat e njerëzve se kush ka qenë agresori dhe kush ka bërë krime në Kosovë.

“Kjo do t’i jepte një imazh të keq Serbisë e rrjedhimisht të mirë Kosovës”.

“Kosova nuk do të ishte më në defensivë, pasi është krijuar një mendim se Serbia ka qenë viktima e ne agresori”.

Por, sipas Beqirit, Kosova është vonuar shumë pasi sipas tij “një pengesë tjetër janë faktet dhe evidencat që do të përdoreshin në këto raste, në këto padi dhe raste legale mund të mos jenë të freskëta më”.

“Kemi parasysh që kanë kaluar 22 vjet pasluftës që kur ka ndodh gjenocidi ndaj popullatës shqiptare në Kosovë nga Serbia. Kjo mund të jetë një diszavantazh për neve”, sqaron Beqiri.

Edhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë është zotuar se Kosova do të bëjë padi kundër Serbisë për gjenocidin e bërë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas dy dekadave të përfundimit të luftës në Kosovës.

Sipas publikimit të Fondit për të Drejtën Humanitare gjatë periudhës 1998-2000 në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur 13.535 njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore