Shëndet

A është e mirë humbja e peshës pas moshës 65 vjeç?


Një peshë normale, në moshën e re dhe të rritur, lidhet me një cilësi më të mirë të jetës dhe një incidencë më të ulët të sëmundjeve kronike.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për moshën e pjekur (mbi 65 vjeç), humbja e peshës nuk është gjithmonë një tregues i shëndetit të mirë.

I këtij mendimi është Stefano Erzegovesi, nutricionist dhe psikiatër, ekspert në çrregullimet e të ngrënit.

Hulumtimi i botuar në revistën Jama Network Open thekson se si një humbje peshe prej 10 për qind pas moshës 70 vjeçare lidhet me një rritje të rrezikut të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet prej 289 për qind te meshkujt dhe 114 për qind te femrat.

Rezultati i studimit nuk tregon se është humbja e peshës ajo që shkakton një rritje të vdekshmërisë, por sipas të gjitha gjasave, ekziston situata e kundërt.

Humbja e peshës është pasojë e një sëmundjeje kronike, ndoshta me një fillim të ngadaltë dhe tinëzar, të aftë për të rritur rrezikun e vdekshmërisë.

Erzegovesi rekomandon se nëse shihni rënien e numrit në peshore në një moshë të re ose të rritur, humbja e peshës pothuajse me siguri do të jetë një gjë pozitive, e lidhur me arritjen e përmirësimit të stilit të jetesës.

Kurse nëse shihni se numri në peshore bie në një moshë të pjekur, veçanërisht nëse rënia është e ngadaltë dhe e vazhdueshme me kalimin e kohës, duhet të kërkohet ndihmë nga mjeku për të vlerësuar gjendjen shëndetësore, qoftë edhe me analiza të synuara.

Për sa i përket këshillave për një figurë perfekte, por të shëndetshme në moshën e pjekur, stili më i mirë i mundshëm i jetës është ai i “Zonave Blu”.

Zonat e botës me përqindjen më të lartë të njëqindvjeçarëve aktivë dhe të shëndetshëm:

1) ndjekin një dietë të varfër mesdhetare, me shumë drithëra, bishtajore, perime, fruta, arra, sasi të mira (2-3 herë në javë) peshku dhe sasi të ulëta (1-2 herë në javë) mishi,

2) lëvizni në mënyrë harmonike, për shembull duke ecur në natyrë,

3) luftojnë vetminë duke mbajtur një rrjet të mirë social,

4) Mbajnë gjithmonë gjallë kureshtjen për të mësuar gjëra të reja dhe ndjenjën e të pasurit një qëllim dhe ndjenjën e dobisë në jetë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore