Shëndet

A duhet që gratë dhe vajzat të kenë pushim gjatë ciklit menstrual?


Ilustrim

E dhimbshme dhe e çrregullt – shumica e grave i lidhin këto dy fjalë me menstruacionet. Sidoqoftë, jo të gjitha gratë përjetojnë të njëjtin intensitet dhimbjeje gjatë periodave të tyre.

Për disa gra, ngërçet e tyre menstruale mund të ndjehen si një dhimbje pulsuese që lehtë mund të bëjnë që funksionimi i tyre i përditshëm të duket i pamundur.

Leonida Molliqaj, e cila është një gazetare dhe organizatore e shumë iniciativave për vajzat dhe gratë në Kosovë, thotë për Albanian Post, se shëndeti menstrual ende diskutohet tejet pak publikisht në Kosovë.

“Kjo për faktin se konsiderohet si diçka e turpshme dhe çështje private e grave. Në fakt shëndeti menstrual është çështje e të drejtave të njeriut dhe duhet të trajtohet në kuadër të shëndetit publik”, është shprehur Leonida.

“Nëntë në 10 gra globalisht përjetojnë Simptomin Paramenstrual të njohur si PMS, i cili përcillet me dhimbje të forta dhe çrregullime të tjera fizike e emocionale. Për shkak të këtyre problemeve vajzat dhe gratë mund të ballafaqohen me vështirësi në angazhimet jashtë shtëpisë, siç janë shkolla dhe puna”, ka thënë ajo.

Molliqaj thekson se, për shkak të këtyre problemeve, duhet të ekzistojë mundësia e pushimit menstrual për të gjitha gratë të cilat kanë nevojë ta shfrytëzojnë atë.

“Nuk ka asnjë kuptim të detyrohesh të punosh kur nuk je në gjendje të mirë shëndetësore. Problemet që shoqërojnë ciklin menstrual kanë tendencë të mos trajtohen seriozisht për faktin se prekin vetëm gratë e kjo patjetër duhet të ndryshojë”.

Mes gjithë diskutimeve që rrotullohet rreth menstruacioneve, për gratë që punojnë, çështja e sigurimit të lejes së periudhës së ciklit, për gratë ka një rëndësi të madhe.

Dhimbje menstruale

Disa vite më parë, një kompani e mediave digjitale, me qendër në Mumbai, njoftoi se të gjitha punonjëset femra në kompani, do të lejohen të marrin leje në ditën e parë të periodave të tyre çdo muaj.

Ndërkaq në vitin 2017, Italia mori vëmendjen me titujt nëpër media, kur mori në konsideratë ofrimin deri në tri ditë në muaj të pushimit me pagesë – për gratë që përjetojnë dhimbje ekstreme gjatë periodave të tyre.

Edhe pse vendet e tjera të mëdha, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Indonezinë, tashmë ofrojnë këtë përfitim. Në Kosovë ende nuk konsiderohet si temë diskutimi.

Merita Sejdiu, e cila është mësuese në një kopsht të fëmijëve në Prishtinë, thotë për Albanian Post se “mendoj që të paktën një ditë duhet të jetë pushim, për faktin që përveç gjendjes fizike, cikli menstrual ndikon edhe në gjendjen emocionale”.

Sipas saj “ashtu si pushimi i lehonisë mund të shprehet si pushimi familjar, periodat duhet të trajtohen si një çështje e përgjithshme shëndetësore”.

Ajo shprehet se kjo mund të zvogëlojë stigmatizimet e shoqërisë në përgjithësi.

“Kjo do të parandalonte që gratë të kenë biseda të pakëndshme dhe tepër personale me shefat e tyre dhe mund të zvogëlojë disa nga stigmatizimet e padurueshme që rrethojnë periudhat në përgjithësi”.

Çfarë është pushimi menstrual?

Pushimi menstrual, është një mungesë e paguar ose e papaguar, për shkak të pamundësisë së gruas për të shkuar në punë gjatë ciklit.

Sipas Akademisë Amerikane të Mjekëve të Familjes, dismenorrea – dhimbje ekstreme e periudhës së ciklit – është një përvojë e zakonshme dhe gati një në pesë gra ka dhimbje aq të forta sa ndërhyn në aktivitetet e përditshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore