Shqipëria

Tabaku e quan rritjen e pensioneve “ofendim për pensionistët”


Sipas deputetes demokrate, Jorida Tabaku, rritja e pensioneve, e cila pritet të ndodhë nga 1 tetori, është veçse një “ofendim për pensionistët”.

Kështu e ka përshkruar ajo vendimin e fundit të Qeverisë shqiptare, duke thënë se një pensionist do të marrë vetëm 25 lekë në ditë, bë bazë të rritjes së re.

Sipas Tabakut, kjo rritje është një ofendim për 750 mijë pensionistët, të cilët përballen çdo ditë me çmime që janë rritur deri në 30% për ushqimet dhe shpenzimet bazë.

Ajo theksoi se ndërkohë që qeveria socialiste mburret me këtë rritje milimetrike, fondet publike po shkojnë për një pakicë të privilegjuar.

Rritja e pensioneve nga 1 tetori, sa përfitojnë realisht pensionistët?

“ Çfarë mund të blejë një pensionist me 25 lekë shtesë në ditë, kur çmimet e jetesës janë në rritje të vazhdueshme? Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj pensionistëve tanë, që janë ndër shtresat më të nënpërkrahura të shoqërisë”, përshkroi Tabaku.

Ajo e cilësoi këtë situatë si pasqyrë e keqmenaxhimit të buxhetit nga qeveria, që mbështet pakicën në kurriz të shumicës së popullit.

Po ashtu, paralajmëroi edhe se familjes shqiptare po varen gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e emigrantëve, pasi rritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes shtetërore po i shtyn të rinjtë të largohen në masë nga vendi.

Ajo nënvizoi faktin se 26% e familjeve shqiptare mbijetojnë falë të ardhurave nga jashtë, ndërsa qeveria vijon të mos i përfillë nevojat e tyre reale.

Sa përfitojnë realisht pensionistët?

Duke folur në terma mesatarë, në qytete pensioni mesatar kap shifrën e 18 mijë e 234 lekëve.

Sipas termave të indeksimit të publikuara, duke llogaritur shtesën me 4.1%, atëherë mesatarisht një pensionist do të përfitojë plus shumën prej 748 lekësh. Kjo do ta çojë vlerën e pensionit mesatar në qytete në 18 mijë e 982.

Është e kuptueshme që për personat, të cilët përfitojnë një pension mbi këtë mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e madhe dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e ulët, sipas bazës së pensionit.

Nga ana tjetër, e njëjta logjikë vlen edhe për zonat rurale, ku pensioni në fshatra është në kuotën mesatare të 11 mijë e 51 lekëve.

Sipas skemës, rritja mesatare në këto zona, do të jetë mesatarisht prej 453 lekësh, duke parë përqindjen e dakordësuar.

Pra, në terma mesatarë, pensioni në fshat do të bëhet 11 mijë e 504 lekë.

Për ata mbi mesatare, sërish rritja do të jetë disi më e lartë dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë më e ulët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore