Kosova

PSD: Kurti dhe Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiç-it sipas kritereve që kanë vendosur për Urën e Ibrit


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se duke u bazuar në kriteret që ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për Urën e Ibrit atëherë i bie që kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë bashkëpunëtor të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Sipas kritereve të tyre, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiçit, por jo sipas kritereve tona. Ne besojmë se ky është diskutim i kot”.

Gjatë aksionit të tyre, anëtarët e PSD-së e kanë prezantuar një pankartë të cilën e kanë titulluar “Rrugëtimi i Kurtit”, e që në të janë shkruar veprimet që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas PSD-së, “rrugëtimi i Kurtit në Veri do të dërgojë në izolim ose autonomi”.

“Ura mund dhe nuk mund të hapet, vendimin për këtë e kemi të qartë – atë e ka KFOR-i dhe QUINT-i përmes rezolutës 1244. Prandaj, këto janë çështje të parëndësishme, rruga ku po na çon është e rëndësishme”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se çdo veprim i Kurtit në Veri, qoftë edhe i suksesshëm siç janë targat, letërnjoftimet, veçse e kanë trashë nivelin e autonomisë që e kanë propozuar ndërkombëtarët.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pas këtyre kërkesave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se konsultimet rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër do të vazhdojnë, ndërsa ka shtuar hapja e urës kryesore në Mitrovicë nuk është kundër partnerëve të Kosovës.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kishte publikuar një raport fillestar për inspektimet teknike të kryera ditët e fundit në urën e Ibrit, duke thënë se ajo është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se mund të përdoret pa asnjë kufizim ngarkese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore