Kampionate

Ish-sulmuesi i Arsenal-it akuzohet për trafik droge


Jay Emmanuel-Thomas

Ish-sulmuesi i Arsenal-it, Jay Emmanuel-Thomas, 33 vjeç, është akuzuar për trafikim droge pasi “600,000 paundë kanabis” u sekuestrua në aeroportin Stansted.

Sulmuesi i Greenock Morton, i cili iu bashkua klubit në fillim të kësaj vere me një transferim të lirë, u arrestua në orën 8 të mëngjesit të së mërkurës pasi zyrtarët e Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar gjetën substancën brenda disa valixheve që kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim nga Bangkoku më 2 shtator.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) rreth 60 kilogramë drogë u gjetën në dy valixhe. Oficerët e NCA-së më pas ndaluan futbollistin, i cili dikur u përshkrua nga Arsene Wenger si me “cilësi të jashtëzakonshme”, dhe që atëherë është akuzuar për importimin e drogërave të klasit B.

33-vjeçari është mbajtur në paraburgim dhe do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës Carlisle të enjten në lidhje me akuzat.

Dy gra, të moshës 28 dhe 32 vjeç ishin arrestuar gjithashtu në aeroportin Stansted, sipas NCA, dhe u akuzuan edhe për vepra të trafikut të drogës.

Emmanuel-Thomas iu bashkua akademisë së të rinjve të Arsenal-it kur ishte tetë vjeç, por nuk arriti të kishte ndikim në ekipin e parë pasi u diplomua në akademinë e “Topçinjve”.

Ai bëri debutimin e tij në Premier League për klubin gjatë një humbjeje 2-0 nga Chelsea në 2010, përpara se të largohej nga Arsenal-i për t’u bashkuar me Ipswich për 1.1 milionë paundë vitin e ardhshëm.

Emmanuel-Thomas ishte 19 vjeç kur bëri debutimin e tij për Arsenal-in dhe kishte impresionuar dukshëm menaxherin legjendar të klubit, Wenger pasi u vendos në skuadrën e lartë të ekipit të Londrës veriore.

“Jay po troket shumë fort në derën time, me dy duar. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme”, tha ish-trajneri i Arsenal-it për “Arsenal TV Online” në vitin 2010. “Ai punon shumë për të marrë formën e duhur. Kur aftësia e tij fizike të jetë e duhur, Jay do të jetë jo vetëm një lojtar i mirë, por një lojtar i madh”.

“Një gjë është e sigurt, ai mund të shënojë gola. Ky është një talent i madh që nuk mund t’ua jepni njerëzve, këmbën e djathtë, të majtën, ai është i pabesueshëm para portës”.

“Ky djalë është një finalizues i pabesueshëm, brenda dhe jashtë zonës. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme”, theksoi Wenger ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore