Kosova

Policia arreston katër persona për fajde dhe organizim të bixhozit


Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor të enjten në Prishtinë, ku ka arrestuar katër persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “fajde” dhe “organizim i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm”.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikatë për media, ku njoftohet se operacioni u zhvillua në tri lokacione të ndryshme në kryeqytet.

“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatë.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma të konsiderueshme të parave kesh, telefona celularë, pesë automjete dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Katër të dyshuarve iu caktua masa e ndalimit për 48 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore