Shqipëria

Shefat e Mbrojtjes në iniciativën SHBA-Karta e Atlantikut me deklaratë: Qëllimi kryesor është integrimi i Evropës Juglindore në NATO


Me mbylljen e punimeve të Konferencës së 27-ë të iniciativës SHBA-Karta e Atlantikut, në Tiranë, shefat e Mbrojtjes së vendeve anëtare kanë miratuar edhe një deklaratë të përbashkët, ku si synim kryesor ka qenë integrimi i vendeve të Evropës Juglindore në Aleancë.

Në deklaratë, riafirmohet po ashtu edhe angazhimi për të qëndruar së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkatërruar paqen dhe stabilitetin në zonën euroatlantike dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë në rajon.

“Ne dënojmë, në termat më të fortë, shkeljen e dukshme të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe ndikimin e luftës së Rusisë në pjesën tjetër të botës. Ne përshëndesim popullin ukrainas për rezistencën e tij të guximshme dhe shprehim simpatinë dhe ngushëllimet tona për humbjen dhe vuajtjen e tyre”, – thuhet në deklaratë.

Aty kanë nënshkruar përfaqësues të lartë ushtarakë të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut, ku bëjnë pjesë: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, me pjesëmarrjen e komandantit të Komandës Evropiane të SHBA-ve, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Evropë, gjeneral Christopher G. Cavoli.

Më tej, deklarata vijon:

Në solidaritet të plotë me popullin e Ukrainës, vendet riafirmojnë synimin për të vijuar mbështetjen në këtë luftë. “Ne jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që mbështet parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë.

Mbështetja kolektive për Ukrainën konfirmon mirëkuptimin tonë të ndërsjellë se bashkëpunimi me aleatët dhe partnerët është jetik për aftësinë tonë kolektive për t’iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme.

Sipas deklaratës së përbashkët, “Ballkani Perëndimor mbetet subjekt i ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë”.

Në këtë drejtim, vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirja janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të përparojmë drejt këtij qëllimi”.

Në përmbyllje, pohohet edhe përkushtimi i pranimit të aspiratave të vendeve nga Evropa Juglindore në NATO.

“Ne ripohojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të SHBA-Karta e Adriatikut, duke pranuar se integrimi në NATO i të gjitha vendeve aspirante në Evropën Juglindore është një nga qëllimet kryesore të Iniciativës. Në këtë kuptim, ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe mbështesim aspiratat e vendeve aspirante të mbetura nga Evropa Juglindore drejt anëtarësimit në NATO, duke respektuar nevojën për dialog të brendshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore