Kosova

Qeveria për Albanian Post: S’kemi marrë asnjëherë vendim për ndalimin e importeve nga Serbia


Ilustrim

Qeveria e Kosovës në qershorin e vitit të kaluar njoftoi se mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, pasi nga shteti serb u rrëmbyen tre policë serbë, por pas kërkesës së Albanian Post për qasje në dokumente zyrtare, për ta parë vendimin e protokolluar, Zyra e Kryeministrit ka pranuar se një vendim i tillë nuk ekziston fare.

“Pas trajtimit të kërkesës suaj për qasje në dokumente publike, ju njoftojmë se Qeveria nuk ka mbajtur mbledhje me 15 qershor 2023. Gjithashtu ju njoftojmë se nuk ka Vendim të Qeverisë për ndalimin e importit të produkteve të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë për Albanian Post.

Më 15 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi për masat ndaj Serbisë, nuk janë ekonomike e tregtare, por të sigurisë.

“Si masa të sigurisë ne kemi marr vendimi për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha ai.

Albanian Post ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për të parë vendimin e ekzekutivit për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, nga përgjigja e pranuar tashmë është konfirmuar se Qeveria asnjëherë nuk ka marrë një vendim i tillë.

Kjo zyrë është arsyetuar se këto “janë masa të sigurisë” e jo tregtare, andaj për këtë vendosin institucionet e sigurisë dhe zbatohen nga këto institucione sipas vlerësimeve të tyre.

Ndryshe Albanian Post qysh më 15 qershor të vitit 2023 kishte raportuar se vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Burime të Albanian Post nga Qeveria e Kosovës, asokohe kishin thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.

“Me gjasë pati ndërhyrje nga jashtë, sepse ishim gati dhe prisnim që vendimin t’ia dorëzonim Ministrisë, por nuk u bë”, kishte thënë burimi për Albanian Post.

Qeveria është tërhequr nga vendimi për bllokimin e mallrave serbe – “me gjasë pati ndërhyrje”

E një vendim i tillë i cili s’u morr asnjëherë tashmë po rrezikon të ardhmen evropiane të Kosovës.

Këtë e konfirmoi i deleguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Diplomati gjerman javë më parë vizitoi Kosovën dy here brenda tetë ditëve, me synim për të bërë përgatitjet e duhura për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal, për të cilat tema takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Diplomati gjerman në dy këto takime insistoi që Kosova të pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

Sarrazin konfirmoi se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë ka marrë përgjigje negative nga Kurti në kërkesën për një kompromis në kuadër të CEFTA-së – Marrëveshja për Tregti të Lirë.

Në një intervistë së fundmi për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, diplomati gjerman teksa potencoi se Kosova nuk mund t’i bllokojë shtetet e tjera të rajonit në këtë proces tha se “nuk do ta ftojmë Kosovën në mekanizimin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare”.

Sarrazin ka përmendur edhe pasojat me të cilat mund të përballet Kosova në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n, duke përmendur se në Bruksel, disa njerëz po i thoshin se nëse Kosova e bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes të BE-së

“Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

Sipas tij me këtë qasje negative, me pasoja do të ballafaqohen qytetarët.

“Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët”, ka ripotencuar ai.

Çfarë ofroi Kosova?

Ndryshe nga Sarrazin, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se gjatë takimit Kurti – Sarrazin është gjetur një zgjidhje kompromisi mbi mundësinë e zhbllokimit të vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia në kuadër të CEFTA-së, por ka qenë Serbia ajo që e ka kushtëzuar këtë zgjidhje.

“Pas tre vjetësh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, ne kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje”, ka shkruar Zulfaj.

Masat e Kosovës, ka sqaruar më tej Zulfaj, nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin “nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare, të zbatuara jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”.

CEFTA dhe Kosova

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Mu për këtë arsye Gjermania në këmbim të heqjes së pengesave kundrejt mallrave serbe, Kosovës i ka ofruar përfaqësimin me asterisk në CEFTA, e jo më nëpërmjet UNMIK-ut.

CEFTA ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore