Kosova

Sulmi terrorist në Banjë – Aktakuzë ndaj 45 personave


Blerim Isufaj

Prokuroria Speciale e Kosovës, të mërkurën, ashtu siç ka raportuar Albanian Post më herët, ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një konferencë për media, tha se pas përfundimit të hetimeve dhe pas grumbullimit të gjitha provave dhe njëkohësisht pas analizimit të secilës prej tyre duke u mbështetur në “dyshimet e mirëbazuara është ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”, tha ai në një konferencë për media.

Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte vonesa në pranimin e rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendit.

Në anën tjetër Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se në mesin e të akuzuarve është edhe kryeterroristi, Milan Radojiçiç.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Milan Radojiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha ai në një konferencë për media.

Ndër të tjera Abazi, potencoi se gjatë kësaj periudhe janë realizuar “66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur”.

Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

“Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast na ka shtyrë t’i kalojmë këto sfida. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave”, ka deklaruar ai.

Prokurori Abazi tha se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me SHBA-në, me shtete të BE-së dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.

Ai potencoi se gjatë procesit të hetimeve “janë sekuestruar dhe konfiskuar prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme”.

Çfarë përmban aktakuza?

Siç thuhet në aktakuzë prej vitit 2017 deri në 24 shtator të vitit të kaluar, kryeterroristi Radojiçiç, ka nisur grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Me këtë, Radojiçiç sipas Prokurorisë, ka kryer veprën “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Ai gjithashtu akuzohet edhe për shpëlarje të parave.

“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radojiçiç duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të\ pandehurit Radule Steviç – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviç B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në aktakuzë gjithashtu shpjegohet në detaje se si u krye sulmi terrorist i 24 shtatorit.

“Më datë 24.09.2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radojiçiç në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar së bashku me pjesëmarrësit e grupit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç, Dusan Maksimoviç, Vladimir Radivojeviç, Ugljesa Jarediç, Milorad Jevtiç, Vlastimir Andriç, Aleksandar Milosavljeviç, Lazar Smigiç, Veljko Djordjeviç, Vladimir Vuçetiç, Stefan Jovanoviç, Milovan Krstoviç, Uros Miliç, Trajko Vasiç, Danilo Vasiç, Vukasin Jarediç, Sasa Periç”.

“Nemanja Stankoviç, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviç, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zarko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Rados Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviç, Radak Adziç, Milos Milenkoviç, Dorde Baloviç, Danijel Dukiç, Danilo Virijeviç, Aleksandar Tanaskoviç, Milos Kragoviç, Miljan Nedeljkoviç, Nikola Iliç, Vladan Iliç”,

Këta të lartcekur në role të ndryshme, duke filluar nga roli I bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.

“Me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, sulm ky i cili ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Ata akuzohen për veprën penale “Kryerja e veprave terroriste”. Përveç saj, të njëjtit akuzohen edhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Çfarë ndodhi më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston edhe një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i.

Raporti i detajuar i INTERPOL-it kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.

Gjithashtu raporti nënvizon faktin se Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës dhe sulmuan ata me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit.

Sipas INTERPOL-it, ka dyshime të arsyeshme që Radojiçiç në cilësinë e kreut të një grupi kriminal nga vitit 2017 deri në vitin 2023 nëpërmjet kontrabandës ka krijuar të ardhura të majme të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.

Ekskluzive: Ngritet aktakuzë për sulmin terrorist në Banjë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore