Kosova

Miratohet projektligji për sigurime shëndetësore


Foto: Albanian Post.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar projektligjin për sigurime shëndetësore.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij ka thënë se me këtë vendim po realizojnë njërin nga premtimet që kanë dhënë.

“Synimi jonë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësore”.

“Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtjen më të mirë sociale që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia teksa ka falënderuar ministrin e Financave Hekuran Murati dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për ndihmën që kanë dhënë për ta hartuar këtë ligj ka thënë se ky projektligj është “hap themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë”.

“Ky proces është i pakthyeshëm dhe si i tillë po e nisim sot në këtë mbledhje. Në këtë nism themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës”.

“Për herë të parë paracaktohen rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojnë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët e veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet”, deklaroi Vitia.

Sigurimet shëndetësore në pushtete të ndryshme ishin premtuar që nga viti 2004 dhe i njëjti gjithmonë ishte pjesë e plan-programeve elektorale të partive, i njëjti asnjëherë nuk ishte përmbushur nga asnjë Qeveri.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Buxheti për sistemin e përgjithshëm shëndetësor për vitin 2024, kap vlerën e 345 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore