Kosova

“Paralajmërim për forcat destabilizuese në rajon” – çfarë do të thotë vizita e shefit të CIA-s në Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

Gjatë kësaj jave Kosova dhe Serbia u vizitua nga ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.

Ndërkaq Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, zhvilloi vizita të paparalajmëruara në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi.

Për Gëzim Visokën, profesorin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë, vizita e zyrtarëve më të lartë të institucioneve më kredibile të sigurisë botërore në rajon, sidomos atij të Burns, duhet lexuar si paralajmërim për forcat destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Paralajmërim ky i cili ndërlidhet, siç vlerëson Visoka, me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndryshojnë qasjen dhe të përdorin mekanizma të tjerë për zbatuar politikën e tyre të jashtme.

“Ndonëse është vështirë ta dimë arsyen e vërtetë të vizitës së Drejtorit të CIA-s në Bosnie dhe Hercegovinë dhe Serbi, mund të spekulojmë se kjo vizitë paraqet një fazë të re të përpjekjeve amerikane për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duket se jemi duke lëvizur nga diplomacia e nivelit të ulët të udhëhequr nga ambasadorët amerikanë në rajon drejt një diplomacie të inteligjencës dhe paralajmërimit dhe ndëshkimit kredibil nga Uashingtoni”, thotë ai për Albanian Post.

Këto vizita në pikëvështrimin e Visokës duhet lexuar edhe në kontekstin e luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Kam përshtypjen se ndërhyrja e Ukrainës në territorin rus ka ndryshuar dinamiken e luftës atje dhe reagimi rus mund të vijë në shumë forma, përfshirë dhe aktivizimin e planeve të tyre për të destabilizuar rajonet e tjera ku SHBA-të dhe BE-ja mund të dëmtohen dhe çorientohen”, argumenton ai.

Nëse ky lexim është i saktë atëherë, beson Visoka, vizita e Drejtorit të CIA-së në rajon “është shenjë që mund të ketë lëvizje destabilizuese me qëllim të dëmtimit të perëndimit”.

Profesori i filozofisë dhe komentatori politik, Blerim Latifi, në anën tjetër, beson se ndalesa e shefit të CIA-s në Beograd e Sarajevë është tregues që Uashingtoni “tashmë i ka identifikuar serbët si rrezikun kryesor për destabilizimin e Ballkanit”.

“Natyrisht kjo është vizita ma e rëndësishme amerikane e viteve të fundit në rajon, sepse kjo vizitë i rifreskon vijat e kuqe”, ka shkruar ai në platformën sociale në Facebook.

Se këto vizitat e fundit në Ballkanin Perëndimor tregojnë shumë për situatën në të cilën gjendet Ballkani Perëndimor aktualisht, thotë ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Selimi, duke u thirrur në burime brenda Brukselit, njoftoi se rajonin në javët e ardhshme mund të vizitojnë edhe Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacionet i NATO-s, Tom Goffus dhe Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Stuart B. Munsch.

Çfarë tha Ruge gjatë qëndrimit në Kosovë e Serbi?

Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Ruge, tha se ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës se vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duhet të vijë përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ruge theksoi se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, ka vlerësuar Ruge.

Ndërkaq pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Ruge ka thënë se pret nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për sulmet e majit dhe të shtatorit të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës.

Ruge ka përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), dhe sulmin e armatosur të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë në Veri të Kosovës.

“Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO llogaritë në Serbinë që të ndihmojë të sigurojë përgjegjësi të plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge, vizita e të cilit vjen në mes të paralajmërimeve për përkeqësim të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht sa i përket Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore