Kosova

Vuçiç i ankohet zyrtarit të NATO-s: Kurti “po provokon” përshkallëzimin e tensioneve


Aleksandër Vuçiç dhe Boris Ruge

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mërkurën, ka takuar ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ku ndër çështjet e diskutuara, siç njoftoi vetë Vuçiç, ka qenë edhe situata e sigurisë në Kosovë.

Vuçiç, nëpërmjet një postimi në platformën sociale Facebook, ka njoftuar se në takim ka “shprehur shqetësim të madh” për tendencën, siç pretendoi ai, të Qeverisë së Kosovës për të komplikuar situatën e sigurisë në Kosovë.

“Gjithashtu theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve, të cilin Prishtina e provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ka një ndikim të madh te populli serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tyre”, ka pretenduar ai.

Në takim Vuçiç, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar edhe nevojë për “intensifikimin e përpjekjeve diplomatike për t’u koordinuar me forcat e KFOR-it në përputhje me rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“KFOR-i si pjesë të mandatit të tyre e ka edhe garantimin e sigurisë së serbëve në Kosovë”, ka thënë Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore