Kosova

“Shtetet që kërkuan heqjen e masave ndaj Kosovës, tash e kanë të vështirë arritjen e këtij qëllimi”


Ilustrim

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar rëndimin e masave ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës një vit më parë për shkak të “veprimeve të pakoordinuara” të lidershipit kosovar në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë iniciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Shtetet brenda unionit, siç shkruan Radio Evropa e Lirë duke u bazuar në burime diplomatike brenda Brukselit, që kanë kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, tash e kanë të vështirë ta arrijnë synimin e tyre, pikërisht për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në qershor u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Asokohe, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave.

Por, situata duket se po përmbyset përsëri në disfavor të Kosovës.

Disa diplomatë në Bruksel i kanë thënë REL-it se në këtë situatë është e mundur që të mendohet edhe për veprime të reja ndaj Kosovës, që nuk nënkuptojnë doemos masa ndëshkuese.

Ata, sipas REL, nuk kanë dhënë sqarime se cilat mund të jenë ato veprime.

Sipas këtyre diplomatëve, gatishmëria në BE lidhur me këto veprime, do të varet nga ngjarjet në terren, në ditët në vijim.

Por, sipas burimeve diplomatike të REL-it në Bruksel, ka shtete që mendojnë se masat vetëm ndaj Kosovës dhe asnjë masë ndaj Serbisë, krijojnë hapësirë për ta konsideruar rolin e BE-së si jo të balancuar.

Prandaj, sipas tyre, konsiderohet e vështirë që në Këshillin e BE-së të arrihet pajtim i të gjitha vendeve anëtare për të shtuar masat ndaj Kosovës e ndërkohë të mos ketë asnjë masë ndaj Serbisë.

Megjithatë, BE-ja vazhdon të presë që autoritetet e Kosovës t’i kthehen bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët dhe para se të ndërmarrin çfarëdo veprimi, të kenë parasysh edhe efektin që ato mund të kenë për komunitetet e ndryshme në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës, nëpërmjet një komunikate për media, ka dënuar me terma të ashpra situatën e krijuar në Veri të Kosovës javëve të fundit – mbyllja e degëve postare të Serbisë në Veri dhe paralajmërimi i autoriteteve kosovare për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Këto situata ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga MPJ-ja franceze.

Përveç kësaj, situata e krijuar në Veri, sipas komunikatës, rrezikon edhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë.

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Ai inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për vazhdimësinë e vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë të cilat ne kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë – që nga shpallja e pavarësisë, ne kemi mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe multietnike”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it.

“Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës rreth masave për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka shtuar ndër të tjera Miller, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për Kosovën pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit ditë më parë.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – është bërë për shkak se ato kanë qenë duke funksionuar pa licencë brenda territorit të Kosovës, pra rrjedhimisht nuk kanë qenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka theksuar se mbyllja e degëve të postës serbe, përkatësisht “veprimet e pakoordinuara” në veri, përveçse se kundër frymëse së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i bllokuar në inbox. BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe neve na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, ka paralajmëruar ambasadori gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore