Kosova

Protestë në Veri – kërkohet lirimi i 2 politikanëve serbë  


Pamje nga protesta në Veri

Të enjten më 8 gusht një grup i qytetarëve nga komuniteti serb po protestojnë para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut për shkak të arrestimit të dy politikanëve serbë nga Kosova.

Alleksandar Arsenijeviç dhe Stefan Vellkoviç nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pengim të punëtorëve të kësaj komune, të cilët ishin duke lyer në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të Listës Serbe, të cilët nëpërmjet një komunikate për media, në platformën sociale në Facebook, ndërsa kanë dënuar arrestimin, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Ne kërkojmë që të gjithë serbët e arrestuar padrejtësisht të lirohen menjëherë dhe të mos arrestohen dhe ‘keqtrajtohen nga regjimi i Kurtit’”, shkruan në komunikatën për media e lëshuar nga Lista Serbe.

Lista Serbe, në reagim, gjithashtu ka pretenduar se Kushtetua dhe Ligjet e Kosovës “garantojnë të drejtën e ekspozimit të simboleve kombëtare të të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

“Heqja e flamurit serb është dëshmi e serbofobisë së instaluar nga ‘regjimi i Kurtit’ dhe hipokrizia e ‘kryetarit të rremë’ të Mitrovicës së Veriut”, ka pretenduar ndër të tjera Lista Serbe.

Me këtë arrestim, siç pretendon më tej Lista Serbe, autoritetet kosovare “kanë kryer drejtpërdrejt veprën penale të nxitjes së urrejtjes racore, kombëtare dhe fetare”.

“Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të veprojë urgjentisht dhe ta ndalojë Kurtin dhe përpjekjet e tij për dëbimin e serbëve”.

Arrestimi i Arsenijeviçit dhe Vellkoviçit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Qeveria e Kosovës, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore