Kosova

Policia arreston politikanin serb Arsenijeviç për pengim të punëtorëve në Veri


Aleksandar Arsenijeviç, foto: REL

Policia e Kosovës ka arrestuar politikanin serb Aleksandar Arsenijeviç nga partia Demokracia Serbe, për shkak se i njëjti ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policor.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Po, e kemi arrestuar pasi ka refuzuar urdhrat policor”, ka thënë Elshani.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nga ora 11:00 në hapësirat e kuvendit komunal, ka organizuar takim dhe bashkëbisedim me qytetarë aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale rreth temës “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillimi komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Në debat kanë marrë pjesë përfaqësues të komunës dhe të Qeverisë së Kosovës.

Fjalimin para qytetarëve serb e ka nisur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por është raportuar për një pjesëmarrje të vogël në debat të komunitetit serb pasi që shumica e të pranishmëve kanë qenë asamblistë komunal, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 2 gusht, kanë deklaruar se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Ndërsa Forca e NATO-së në Kosovë (KFOR), ka theksuar se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Krasniqi e cilëson “absurde” kërkesën për mos-hapjen e Urës së Ibrit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore