Shqipëria

33 urdhërarreste nga zbardhja e ngjarjeve kriminale, SPAK zbulon listën e vrasjeve të kërkuara nga vëllezërit Çopja


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur detaje nga operacioni kundër grupit kriminal, i cili e kishte ka bazën në qytetin e Elbasanit dhe që drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

SPAK thekson se është ushtruar kontroll në 8 ambiente në ndryshme në përfundim të të cilëve është bërë e mundur sekuestrimi i një shume të madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një shumë totale mbi 1 milion euro.

Gjithashtu janë sekuestruar 42 pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim katërkatësh dhe katër llogari bankare.

Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare.

Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve, daton rreth viteve 2006 – 2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë.

Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.

Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.

Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.

Vrasja e trefishtë, ku u vra shtetasi Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurencën për zotërimin e tregut të kokainës.

Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej.

Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.

Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Gjithashtu, evidentohet se, Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.

Identifikimi i plotë i ngjarjeve kriminale

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale, si më poshtë:

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese” në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 07.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;

Fakti penal “vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.09.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;

Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.01.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;

Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.

Fakti Penal “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier;

Fakti Penal “Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.

Gjithashtu kjo organizatë kriminale  ka kryer dhe  veprime aktive duke siguruar kushtet dhe mjetet materiale me qëllim kryerjen e vrasjes së disa shtetasve, konkretisht:

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve  materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2019 –janar 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej pas periudhës së karantinës në vitin 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajin  shtator 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën   kohore korrik – nëntor 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në  periudhën kohore korrik – tetor 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore tetor – nëntor 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit A., ngjarje e planifikuar të kryhej në shtator të vitit 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore dhjetor 2019 – janar 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2020 – janar 2021;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore janar 2020 – janar 2021;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit C., ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore janar 2020 – nëntor 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Ç., ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – nëntor të vitit 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt maj – gusht të vitit 2020;

Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit B., ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – gusht të vitit 2020.

Janë evidentuar dhe dokumentuar raste te përkrahjes së autorit të krimit, veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe moskallëzim krimi.

Gjithashtu, është evidentuar dhe rekrutimi i dy punonjësve të policisë së shtetit, për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën për llogari të organizatës kriminale.

Është evidentuar edhe fakti penal i “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ”, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan dhe “Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës  së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore