Kosova

“Rritja e qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor” – Një tjetër zotim i papërmbushur i Qeverisë Kurti


Arikv: Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Rritja e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese – janë vetëm disa nga premtimet e partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kur tentonte të merrte pushtetin në vitin 2021 u zotua se do t’i realizonte në mandatin e saj qeverisës.

Por, ky është një tjetër premtim që rezulton se nuk është mbajtur ndonëse kanë kaluar 3 vjet e gjysmë që nga marrja e mandatit.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Albanian Post, ka treguar se është hapur vetëm një qendër e shëndetit mendor në Kosovë.

“Sa i përket shtimit të qendrave/shtëpive që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor është ndërtuar Shtëpia për Integrim me bazë në komunitet në Deçan”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, sa i përket pjesës së shërbimeve ata nuk treguan nëse ato janë shtuar, vetëm i përmenden ato që ofrohen.

“Ndërsa sa i përket shërbimeve profesionale – Qendrat e Shëndetit Mendor dhe Shtëpitë për Integrim me bazë në komunitet, promovojnë shëndetin mendor, parandalojnë çrregullimet mendore,  ofrojnë shërbime ambulatore psikiatrike, shërbime të vizitave shtëpiake, ofrojnë psiko-edukim në grupe shumë familjare e të tjera”, kanë thënë nga MSH-ja.

Ka munguar një sqarim nga ta sa i përket përmirësimit teknik në qendrat aktuale.

Albanian Post ka pyetur edhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për të kuptuar më shumë.

Ata potencuan një hulumtim të realizuar në vitin 2022 dhe themelimin e grupit punues për hartimin e strategjisë për shëndet mendor.

“Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka themeluar grupin e punës për hartimin e strategjisë për shëndet mendor 2024-2030 dhe planin e veprimit për të adresuar te gjitha nevojat si në infrastrukturë të re fizike gjithashtu në resurse humane dhe në shërbime të specializuara me shtretër, po ashtu dhe në ato jashtë spitalore”, shtuan nga SHSKUK-ja.

AP ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer një përgjigje.

Ndërkaq, Drejtori në Klinikën e Psikiatrisë, Faton Kutllovci, në një bisedë për AP ka treguar se investimet aty kanë munguar.

“Kushtet infrastrukturore në Klinikën e Psikiatrisë janë të rënda, sepse në Klinikën e Psikiatrisë nuk ka pasur investime ose intervenime që nga koha kur është ndërtuar si klinikë domethënë është ndërtuar në vitin 1980”, ka thënë ai.

Si rrjedhojë, shumë pacientë vendosin të largohen kur përballen me këto kushte të vështira.

“Ka rënë numri i hospitalizimeve pikërisht për shkak të kushteve të rënda infrastrukturore. Ka ndodhur që brenda ditës janë pranuar pesë persona që kanë pasur nevojë për trajtim dhe që të pestit e kanë lëshuar klinikën me vetëdëshirë për shkak të kushteve të rënda”, deklaroi drejtori.

Klinika e Psikiatrisë

Ai tregoi se në repartin ku trajtohen probleme të shëndetit mendor nuk ka pasur ndonjë investim.

“E kemi repartin ku i trajtojmë çrregullimet si depresionin ankthin, çrregullimet e personalitetit, të ushqimit, kontrollimit të impulseve e të tjera dhe nuk është intervenuar asnjë gjë në këtë repart”, shtoi ai.

Por, Kutllovci theksoi disa intervenime të planifikuara.

“Për fat të mirë e kemi bërë një projekt me ndihmën e Ministrit të Shëndetësisë e kemi fituar financimin prej ambasadës së Amerikës dhe pritet të bëhet rinovimi i repartit të Urgjencës Psikiatrike diku në muajin tetor të këtij viti”.

“Kemi biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe jemi duke i shikuar mundësitë që ta ndërtojmë një pjesë tjetër të repartit një aneks të ndërtesës për repartin e psikiatrisë së fëmijëve. Si dhe rinovimi i gjithë ndërtesës së psikiatrisë është futur në buxhetin për gjysmën e dytë të këtij viti dhe nëse jo në fund të këtij viti atëherë në fillim të vitit 2025 do të rinovohet e tërë Klinika”.

Kutllovci shtoi se “nëse ka qenë premtim i Qeverisë për të ndërtuar qendra të reja të shëndetit mendor kjo nuk ka ndodhur”.

Nusret Pepaj, drejtor në Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë, tha se gjërat kanë shkuar duke u përmirësuar aty, por që nevojitet më shumë mbështetje.

“Neve duhet të na ofrohet mbështetje. Duhet me pas shtretër më shumë, për shkak të pacientëve që është duke u rritur numri i tyre, shtretër me pas më shumë se po kemi presion edhe prej Prokurorisë, gjykatës edhe prej spitaleve se është numri i limituar”, tha Pepaj.

Numri i pacientëve që marrin shërbime në vit në këtë qendër shkon deri në 4 mijë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se përderisa nuk ka ligj për shëndetin mendor, nuk ka as rritje të këtyre qendrave.

“Ligji për shëndetin mendor është kthyer pas komplet dhe ende nuk kemi draft propozim për ligjin e ri, derisa nuk ka ligj nuk ka rritje”, theksoi Dreshaj.

Sa i përket përmirësimit teknik ai tha “nuk kam ndonjë feedback nga qendrat ekzistuese për shëndetin mendor që ka ndonjë përmirësim”.

Dreshaj, uron që ekzekutivi të vetëdijesohet dhe t’i kthehet vendit e të mos vazhdojë duke qëndruar në mjegull.

Sipas të dhënave të MSH-së, vendet në të cilat organizohet shërbimi profesional i shëndetit mendor janë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Skenderaj, Gjakovë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj, kurse sa i përket Shtëpive për Integrim me Bazë në Komunitet janë në Fushë Kosovë, Drenas, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Deçan, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj.

Ky nuk është premtimi i vetëm i Qeverisë Kurti që nuk është realizuar.

Më 9 korrik, AP pati raportuar se si zgjidhje përfundimtare për strehimin iu premtua të moshuarve të vetmuar në Kosovë në fushatën zgjedhore të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kur tentonte të merrte pushtetin, tash Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u zotua se do të ndërtonte pesë shtëpi për këtë kategori.

Ndonëse kanë kaluar 3 vjet që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Një tjetër premtim kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo në më shumë se tri vjet e gjysmë qeverisje në mandatin katër vjeçar, ky zotim nuk është aspak afër realizmit – ashtu si shumë premtime të tjera.

Pra, numri nuk është fare afër pesëfishimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore