Kosova

Minatorët akoma pa paga për muajin qershor, Qeveria s’ndërmerr asnjë veprim


Minatorët e Trepçës.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka reaguar për mospagesën e minatorëve për muajin qershor duke thënë se interesimi i Qeverisë për këtë çështje dhe veprimet që kanë marrë janë në nivelin zero.

Përmes një komunikate për media kjo sindikatë ka thënë se premtimet e pushtetit për minatorët janë boshe.

“Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga Qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, është thënë nga sindikata.

Për sindikatën mosinteresimi i Qeverisë për këtë kategori është shqetësuese.

“Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepça Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”.

Ndërkaq, është paralajmëruar se mund të ketë edhe largim të punëtorëve nga kjo ndërmarrje.

“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepca Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit”.

Edhe në muajin qershor, minatorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin maj.

Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë – pas kësaj greve tejet të gjatë ishte arritur marrëveshje me Qeverinë, por që e njëjta vazhdimisht nuk po zbatohet.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Qeveria s’po e zbaton marrëveshjen me minatorët, sërish detyrohen të hynë në grevë për paga

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore