Kosova

Abdixhiku: Qeveria Kurti s’la asnjë shenjë në asnjë fushë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një fjalim në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së të martën, ka artikuluar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij në tre vjet e gjysmë qeverisje “nuk ka lënë asnjë shenjë në asnjë fushë”.

Duke theksuar se Kosova duhet të jetë e anëtarësuar në NATO e Bashkimin Evropian dhe të ketë miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Abdixhiku ka vlerësuar se me Qeverinë aktuale të Kosovës, kjo e “ardhme duket e zymtë dhe e trishtë”.

“Ajo thërret për angazhimin tonë monumental si garantues të vetëm politik të shtetësisë si projektues të republikës e si besimtar të vetë demokracisë”, potencoi ai.

Të gjitha shtyllat identitare të Kosovës, sipas Abdixhikut, me ekzekutivin e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, janë vënë në “peshoren e fateve të popullistëve”.

“Ato po gërmohen po rrënohen dhe po tjetërsohen si synim ideologjik i mosbesuesve të pavarësisë”.

Abdixhiku gjatë fjalimit të tij ka konsideruar se në Kosovë duhet të ketë një moment reflektimi.

“Ky moment thërret për përgjegjësi, duhet dorëheqje. LDK refuzon farsën e darkave, LDK është e gatshëm dhe kërkojmë dorëheqje të qeverisë. Fillimisht dorëheqja e pastaj shpërbërje”, ka shtuar ai.

I pari i LDK-së ndër të tjera ka konsideruar në këtë situatë ku ndodhet Kosovës është domosdoshme bashkimi “i së djathtës në Kosovë”.

“Rrugëtimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik nuk kanë gjasë, siç u pa tash e tri vite e gjysmë, me këtë pushtet populist e majtist. Për popullin e Kosovës janë të mjaftueshme tri vite për të kuptuar jo vetëm mënyrën e bërjes politik, por edhe paaftësinë fundamentale për moszgjidhjen e problemeve sidomos atyre nacionalë”, u shpreh Abdixhiku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore