Kosova

Pas takimit Kurti-Krasniqi, PDK-ja i voton marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend


Foto: Albanian Post.

Tri ditë pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, partia e këtij të fundit ka votuar pro 12 marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e kësaj të enjte të Kuvendit të Kosovës.

Këto marrëveshje deri tani nuk kishin kaluar kjo pasi sipas ligjit në Kosovë marrëveshjet ndërkombëtare për të kaluar duhet të kenë votat e dy të tretave të deputetëve.

Në kuadër të këtyre marrëveshjeve është miratuar edhe një me Turqinë e cila parasheh bashkëpunimin në operacione paqeruajtëse, humanitare dhe kundër terrorizmit.

Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, u arrit miratimi edhe i ligjit për ratifikimin e “amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje arrin vlerën prej 20 milionë eurove.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.

Deputetët miratuan edhe ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimit Evropian në atë që quhet programi i tregut të vetëm.

Në seancën e 16 majit, u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Kryetari i Mitrovicës, njëherësh edhe kandidat për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, e ka mirëpritur miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se përmes tyre mundësohet që qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë shumë më mirë.

“Sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. I falënderoj deputetët që votuan për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Personalisht, jam mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve”, ka thënë Hamza.

Duke shtuar se, “këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës që do ta krijojmë me qeverisjen e re”.

Ndërkaq, dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancave plenare të 16 majit: Trakti ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Po ashtu, edhe marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Në këtë seancë ishte paraparë që të votohej edhe projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre rezoluta nuk ishte e plotë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kishte bërë të ditur më 15 maj se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi kishte zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

Opozita kishte vendosur që të mos votoj marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa pushteti kishte refuzuar që të përgjigjet në pyetjet parlamentare ndaj opozitës.

Nga viti 2021 kur është formuar, përbërja aktuale parlamentare ka miratuar 45 marrëveshje ndërkombëtare në fusha të ndryshme, kështu thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kjo s’është hera e parë kur opozita nuk votoi marrëveshje ndërkombëtare.

Monitoruesit e seancave të Kuvendit të Kosovës kishin thënë se ky s’është fenomen i rrallë duke sqaruar se kishte ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën.

Qeveria akuzon opozitën, por marrëveshjet ndërkombëtare s’po i votojnë as disa deputetë të partisë në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore