Kosova

Kryeziu i DNV-së e quan “proces të dështuar” votimin në Veri


Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka thënë se procesi i votimit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ka dështuar për shkak të pjesëmarrjes së ultë të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre.

“Në aspektin ligjor, në masë të madhe plotësohen kriteret ligjore për organizim, por gjithsesi si pjesëmarrje janë të dështuara. Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje KQZ-së që të anulojë këtë proces”, tha Kryeziu në një konferencë për media.

Tutje, ai ka potencuar se qytetarët serbë nuk janë “viktimë” vetëm e Listës Serbe dhe Beogradit, por e Qeverise së Kosovës.

“Qytetarët serbë në këtë rast janë viktimë e politikave, por edhe viktimë e Listës Serbe, të politikës së Beogradit, por edhe e Qeverisë së Kosovës, e cila jo mjaftueshëm ka bërë për të adresuar këto çështje”, shtoi.

Problem tjetër, potencoi Kryeziu, është edhe mënyra e vendosjes së kamerave në vendvotime për herë të parë nga KQZ-ja.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 15:00 në katër komunat veriore – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – vetëm 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve aktualë komunalë.

“Në Leposaviq kanë votuar 122 votues, në Zubin Potok 17 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 64 votues”, njoftoi Elezi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Në katër komunat veriore, të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Ndryshe, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore