Kosova

Kurti: Unë nuk e shoh Beogradin me sytë e Amerikës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë siç ai e sheh, mirëpo ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “Public Square”, që moderohet nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, derisa po fliste për marrëdhëniet me SHBA-të.

“Një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres që ShBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Kurti.

“Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në lufte dhe i kam njohur gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqipatrëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet në veçanti”, shtoi.

Ai theksoi se SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke, teksa shtoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”.

Prandaj, ai beson se Serbinë “e njoh më mirë”, dhe nuk mund ta ketë të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri, sikurse DASH.

“Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, miqve dhe partnerëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë jemi identikë”, beson.

Kurti shtoi se ambiciet e tij për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit.

“Ambiciet e mia për Kosovën dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit”, potencoi ai, dhe vazhdoi “besoj që kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe”

Kurti për Procesin e Vjenës: Kemi dhënë shumë, s’kanë qenë të nevojshme të gjitha ato koncesione

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për procesin e Vjenës, si rezultat i të cilit erdhi pavarësia e Kosovës (17 shkurt, 2008), ka thënë se janë bërë shumë koncesnione “tepër herët”, për të cilat ai mendon se nuk ka qenë e nevojshme që të bëhen para shpalljes së mëvetësisë së vendit.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “Public Square”, që moderohet nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Unë edhe sot e kësaj dite besoj që gjatë bisedimeve të Vjenës, kemi dhënë tepër shumë tepër herët. Nuk ka qenë e nevojshme të bëhen gjithë ato koncesione para shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha fillimisht Kurti.

“Unë besoj që koncesione të caktuara, të cilat, unë s’kam qenë brenda, mund të kenë qenë të nevojshme, mirëpo ka qenë e mundur të afatizohen. Dhe në anën tjetër ka qenë e mundur të lihen për më vonë me rastin e plotësimit të ndonjë kushti nga Serbia”, shtoi.

Ai shtoi se “Pakoja e Ahtisarit”, si derivat e të cilës u shpall pavarësia e Kosovës, “me atë decentralizimin mbi baza etnike, me ulëset e garantuara dhe rezervuara në Kuvend e kështu me radhë, në fakt është menduar që t’i pëlqejë edhe Serbisë dhe rrjedhimisht kemi një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit në OKB, që do ta zëvendësonte Rezolutën 1244. Kjo nuk ndodhi”.

Meqë kjo nuk ndodhi, vazhdoi Kurti, “kur ne shpallëm pavarësinë, unë nuk besoj që ka qenë e nevojshme që të gjitha ato të zbatohen njëanshëm paçka se ishin negociuar me Serbinë dhe ajo në fund i kishte fituar ato, por ishte ndarë e pakënaqur me vëllimin apo përmasën e tyre”.

“Pra Serbia i mori të gjitha koncesionet përmbajtësisht dhe nuk e pranoi paketën formalisht dhe vazhdoi që të na sabotoi neve…”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore