Kosova

Haziri, Kurtit: LDK-ja është gati për të gjitha


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetari Lutfi Haziri.

“LDK është gati për të gjitha”, ka qenë përgjigja e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili tha të enjten se është i gatshëm të diskutojë me opozitën për të çuar vendin në zgjedhje.

Haziri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se LDK-ja s’do të bëjë mocion, por në rast se vendi mbetet pa kryeministër janë të gatshëm për zgjedhje.

“Siç ka deklaruar Kryetari i LDK-se mbrëmë, kryeministri Kurti është dorëzuar e po kërkon viktimizimin. LDK nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa Kryeminister, dhe natyrisht për qeverisje”.

“LDK nuk ia mundëson e as mundëson dëshirën për viktimizim. Veç dorëheqja pas dorëzimit!”, ka shkruar Haziri.

Ndërsa, ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta ftojë në takim opozitën për të qartësuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se opozitës do t’ua bëjë votat nëse dëshirojnë zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu të enjten gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse dëshirojnë partitë opozitare në vend. E nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, atëherë mund të votojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 tregon se duhen 2/3 e votave dhe s’ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje; opozita mund të bëhet bashkë me neve – kjo është ofertë e imja. Ne i ndihmojmë opozitës nësë dëshirojnë zgjedhje, pa problem”.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore