Kosova

Borrell: Koha që Kosova dhe Serbia të thyejnë rrethin vicioz të krizave dhe të kalojnë në epokën evropiane


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në prag të një-vjetorit të “marrëveshjes historike” që u arrit më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas një cikli të gjatë të negociatave, kërkoi nga palët që t’i ulin tensiones dhe të nisin zbatimin e së njëjtës pa vonesa të mëtejme.

“Në kohën e një lufte të paprecedentë në shkallë të plotë në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha ai.

Duke shprehur keqardhje që përkundër përpjekjeve të BE-së, deri tani nuk ka pasur progres konkret në zbatimin e obligimeve që palët kanë marrë përsipër, kryediplomati evropian deklaroi nëpërmjet një komunikate për shtyp se tash është momenti i fundit që Kosova dhe Serbia të thyejnë rrethin vicioz të krizave dhe tensioneve dhe të kalojnë në epokën e re evropiane.

“BE-ja rikujtoi vazhdimisht se marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë kredibilë dhe të besueshëm”, theksoi Borrelli, ndërsa kërkoi nga liderët në Prishtinë e Beograd të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership.

Borrelli shtoi se BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap të rrugëtimit evropian, porse gjithçka varet nga vullneti për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Mesazhi i kryediplomatit evropian vjen në kohën kur në Bruksel të Belgjikës pritet të mbahet një cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve për çështjen e dinarit.

Një vit nga “marrëveshja historike” që “hallakati” veriun e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore