Kosova

Zbulohet në Veri një laborator i drogës, prangoset i dyshuari


Policia e Kosovës të shtunën ka bastisur një shtëpi në Leposaviq ku ishte improvizuar një laborator droge në një dhomë dhe janë sekuestruar 23 bimë të mbjella të dyshuara të llojit kanabis.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëvendësdrejtori i policisë në Veri, Veton Elshani.

“Gjatë bastisjes në një dhomë të shtëpisë kemi gjetur dhe sekuestruar 23 bimë të mbjella të dyshuar të kanabisit me gjatësi nga 40 centimetra deri ne 1.85 centimetra, si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit”, tha Elshani.

Ai ka potencuar se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe me udhëzim të tij disa nga bimët janë marrë si mostra dhe janë dërguar në laborator, kurse pjesa tjetër janë shkatërruar.

Ndërsa i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar në pikën kufitare në Jarinje dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

“Ne lidhje me rastin i dyshimti R.V. (1981) rreth orës 19:30 është ndaluar dhe arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë se personi i dyshuar është ndaluar”, ka shtuar Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore