Kosova

Përralla e njëjtë sërish – Rusia akuzon Ukrainën për trafikim organesh, njëjtë si Serbia Kosovën


Ilustrim

Ndërsa agresioni rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë, Rusia – njëjtë si Serbia në raport me Kosovën – në mënyrë propaganduese po përhap dezinformata se kinse Ushtria e Ukrainës ka filluar trafikimin e organeve të ushtarakëve të vetë.

Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut përmes një postimi në platformën sociale, X, ka pretenduar se hetuesit rusë kanë hasur në dokumente të cilat dëshmojnë heqjen e organeve të ushtarakëve ukrainas, por pa i publikuar të njëjtat.

Propaganda shkon deri në atë pikë ku Rusia pretendon se punonjësit e morgjeve në Ukrainë kanë hasur në vazhdimësi te trupat e ushtarëve ukrainas shenja që dëshmonin heqjen e organeve.

“Ekipet e huaja mjekësore shpesh paraqiteshin në klinikat lokale me ambulanca të shndërruara në ambiente të lëvizshme operimi”, pretendon Rusia.

Mëlçitë dhe veshkat e ushtarëve ukrainas, sipas pretendimeve të Rusisë, u hoqën në sallat e operacioneve mobile, të cilat më pastaj ishin transportuar jashtë vendit për t’u transplantuar diku në Perëndim.

“Trafikantët e organeve të plagosurve ua dhanë qetësues të fortë dhe u dërguan në Kramatorsk, Dnepr ose Kharkov. Aty ku u hoqën”.

Serbia si në rastin e Rusisë me Ukrainën kishte pretenduar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së fundit ishte marrë me trafikim të organeve.

Në vitin 2010, senatori zviceran, Dick Marty hartoi një raport mbi trafikun e pretenduar të organeve gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), i cili implikonte pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mbi bazën e të cilit janë themeluar edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, ku hetohen krimet e pretenduara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

APKE në vitin 2011 miratoi një rezolutë kontraverse bazuar në raportin e senatorit të atëhershëm zviceran, pas inciativës së rusit, Konstantin Kosachev, ku përveç akuzave të tjera, ish-krerët e UÇK-së ishin akuzuar për trafik të organeve të qenieve njerëzore. Por, nisja e gjyqit në prill të këtij viti në Hagë, konfirmoi dështimin fatal të pretendimeve të Martyt.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para trupit gjykues në ditën e dytë të procesit gjyqësor, deklaroi se ka qenë raporti i Martyt ai që e detyroi Kosovën të dëgjonte kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për të themeluar një Gjykatë Speciale për krime të pretenduara lufte – institucion që deputetët kosovarë e themeluan në gusht të vitit 2015.

Pretendimet për trafik të organeve të qenieve njerëzore në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri janë hetuar edhe nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, kishte bërë të ditur se pas hetimeve nuk kishte gjetur asnjë dëshmi të bazuar për trafikun e pretenduar të organeve të qenieve njerëzore, por për krime të tjera lufte.

Marty u kthye në qendër të vëmendjes në vitin 2022 kur mediat zvicerane raportuan se ish-senatori zviceran pranoi kërcënime nga radikalët e shërbimit inteligjent serb (BIA) dhe mbrohej nga policia e shtetit zviceran, ndërsa dyshohej se plani ka qenë që ai të likuidohej nga vrasës profesionistë të angazhuar nga shteti serb për t’ia ngarkuar përgjegjësinë shqiptarëve.

Lidhur me pretendimet e Serbisë për trafikim organesh Albanian Post kishte realizuar edhe një dokumentar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore