Lajme

Vuçiç prezanton sistemin antidron që Serbia bleu nga Rusia


Aleksandër Vuçiç në prezantimin e sistemit anti-dron rus

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mërkurën ka prezantuar sistemin rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilën Serbia bleu kohë më parë nga Rusia.

Më 14 shkurt, gjatë shfaqjes së armëve në Nish, lideri serb ka paralajmëruar për investime shtesë në pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë, posaçërisht në artileri.

Ai tha se 300 milionë euro janë duke u investuar në prodhimet e industrisë vendore.

Vuçiç njoftoi gjithashtu se dronë shtesë, CH-95, do të blihen nga Kina, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Ky sistem ka për qëllim pengimin e kontrollit të dronëve dhe e mbulon një sipërfaqe prej 30 kilometrash, u tha gjatë shfaqjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake në qytetin jugor të Serbisë, Nish, gjatë një feste Kombëtare të Serbisë.

Në fund të janarit, Vuçiç paralajmëroi për prezantimin e një sistemi të tillë antidron, por ai nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, përveç se shtoi se “Serbia ka paguar për të shumë kohë më parë”.

Ndryshe javë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan kërkesën e Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore