Kosova

Asociacioni i Kurtit është trup autonom që e ka territorin e vetë, thotë Abdixhiku


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë dallimin në mes të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i paraparë sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015 dhe draft-statutit modern evropian të Asociacionit të cilën e ka pranuar Qeveria e Kosovës muaj më parë.

Asociacioni në të kaluarën, sipas deputetit Abdixhiku, ka qenë i dizajnuar për të ofruar shërbim komunave, ndërsa tash Asociacioni ndërtohet për të ofruar shërbim qytetarëve serbë në Kosovë.

“Pra hiqet niveli i pushtetit lokal, vendoset një pushtet i ri, autonom, shtresë e tretë e pushtetit”, tha ai në një intervistë për Klan Kosova.

Ky trup autonom sipas draft-statutit të Asociacionit e ka territorin e vetë, ka potencuar tutje Abdixhiku.

“Dokumenti kufijve të Asociacionit i referohet si kufij administrativë”, shtoi ai.

Me këtë draft-statut, sipas Abdixhikut, Asociacioni do ta ketë edhe buxhetin e veçantë publikë.

“S’do të ketë para në thesare, pra do të ketë një llogari të veçantë”.

Abdixhiku ndër të tjera ka potencuar se Asociacioni me këtë draf-statut parashihet të ketë qendër administrative, e jo seli.

“Mitrovica e Veriut nuk do të jetë seli e Asociacionit, por qendër administrative”.

Kryetari i LDK më tutje ka shtuar se kryeministri Kurti ka pranuar autonomi të plotë e të paparë në Republikën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore