Kosova

Serbia vështirë se ndryshon kurs në politikën e jashtme, qasja për t’u ulur në dy karrige është rrënjosur fort, thotë Beçev


Dimitar Beçev

Do të habitesha nëse Serbia do të ndryshonte në mënyrë drastike kursin e saj në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, pas agresionit në Ukrainë, ka pohuar ligjëruesi në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Beçev.

Serbia, ka theksuar Beçev, mund të pranojë të zbatojë disa sanksione kundrejt Rusisë, siç ka bërë tashmë në lidhje me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Bjellorusisë, por çdo përafrim i rëndësishëm mbetet i pamundur, sipas tij.

Serbia, gjegjësit kryeministrja, Ana Brnabiç, ka shprehur rezerva për deklaratën e miratuar në Samitin e së mërkurës në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet e saja për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Një qasje e tillë, sipas profesorit universitar, tregon edhe njëherë se politika e Serbisë për t’u ulur në dy karrige është e rrënjosur fort.

“Kjo është e njëjta gjë: të jesh me BE-në, pa pasur nevojë të shkatërrosh ura me rusët.Deri më tani, BE nuk ka treguar oreks për të sanksionuar Beogradin në asnjë mënyrë. Do të ishte e vështirë për ta bërë këtë, edhe nëse dikush do të donte. Presidenti hungarez Viktor Orban, i cili nuk i fsheh lidhjet e tij të ngushta me Aleksandar Vuçiçin, sigurisht që do të vërë veton ndaj çdo vendimi për të sanksionuar Beogradin. Ashtu si në rastin e presidentit të entitetit boshnjak Republika Srpska, Milorad Dodik”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

I pyetur se çfarë pasojash mund të presë Serbia nga Brukseli nëse vazhdon të refuzojë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Beçev ka vlerësuar se nuk do të ketë ndonjë pasojë serioze.

“Më duket se Bashkimi Evropian po pajtohet me idenë se Serbia udhëheq një politikë të jashtme ekscentrike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore