Kosova

Tre të arrestuar në Veri, u caktohet masa e paraburgimit për 48 orë


Veriu i Kosovës.

Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar në Veri të Mitrovicës, njëri nga të cilët ka pasur urdhër-arrest aktiv në lidhje me një laborator droge.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Policia.

“Me datën 23.11.2023 rreth orës 03:15, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë-veri, gjatë angazhimeve të saj në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VË Golf, të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale m/s (N. M.) dhe pasagjerë në automjet ishin të dyshuarit me inicialet (M. T. dhe D. J)”.

“Pas ndalimit të automjetit nën dyshimin për posedim të substancave narkotike është kontrolluar automjeti dhe në të është gjetur sasi e dyshuar e kokainës dhe marihuanës”, është thënë nga Policia.

Ndërsa, është sqaruar se lidhur me këtë rast janë informuar njësitet tjera relevante, përfshirë antidrogën, forenzikën.

Nga Policia, janë kumtuar edhe dëshmitë që janë evidentuar dhe sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim.

“Dëshmitë e sekuestruara janë evidentuar si ne vijim: sasi e dyshuar e kokainës me peshë rreth 10 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 98 gramë, para (kesh) 83540 dinar të Serbisë dhe 205 euro dhe katër (4) telefona mobilë”.

Po ashtu, në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe me aktvendim mbi ndalim për tre personat e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore