Kosova

Osmani tha se s’ka arsye pse të takohet, Borrell paralajmëron bisedë në mes të Osmanit e Vuçiç-it në Spanjë


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një prononcim për media para nisjes së Samitit të radhës së Komunitetit Politik Evropian bëri të ditur se do të ulet së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.

I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiç-it, diplomati spanjoll tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet.

“Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiç. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës”.

Ndryshe Osmani në një bisedë me gazetarët para nisjes së Samitit të BE-së tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.

“Së pari sanksionet, pastaj mund të flasim për të tjera tema”.

Hapi i parë i cili duhet të ndërmerret në këtë fazë ndaj Serbisë, sipas Osmanit, janë sanksionet.

“Nëse nuk ndërmerren sanksionet ndaj Serbisë ata do të abuzojnë me dialogun e normalizimit si proces përmes të cilit normalizohet fytyra e Vuçiç-it si agresori në vend që të normalizohen marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, pohoi ajo.

Ajo përmendi edhe hapa të tjerë që duhet të ndërrmeren në këtë drejtim.

“Fillimisht sanksione kundër Serbisë pastaj garancitë e sigurisë për Kosovën dhe pasi t’i kemi në fuqi sanksionet, Serbia do të kuptojë se përdorimi i forcës nuk është zgjidhja”.

Osmani thotë se s’ka arsye pse të takohet me Vuçiç-in para sanksioneve ndaj Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore