Kosova

Vazhdojnë takimet “as ksi, as asi” në Bruksel: Historia e prioritetit të 7-të


Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Për të, dialogu ishte prioritet i gjashtë apo i shtatë, por pa mbushur as edhe 100 ditë në Qeveri Albin Kurti e gjeti veten në njërën nga sallat e ndërtesës 54 vjeçare të Berlaymont në Bruksel në qendrën më të rëndësishme politike të Bashkimi Evropian për të shënjuar edhe ai emrin në një proces i cili nisi në vitin 2011 e që solli një mori marrëveshjesh, por pa zbatim konkret në terren.

Katër ditë para se të udhëtonte në Bruksel, në takimin e parë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, kishte nxjerrë bilancin e dëmeve që i ishin shkaktuar Kosovës nga udhëheqësit shtetërorë paraprakë në procesin e bisedimeve me Serbinë, ndërsa deklaronte se më 15 qershor të vitit 2021 “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” ndryshe nga Bashkimi Evropian që konsideronte takimet e ardhshme në kuadër të dialogut, si vazhdim, e jo si ndonjë fillim i ri.

I bindur se me ardhjen e tij në pushtet do të hapë një kapitull të ri në procesin e bisedimeve me Serbinë duke shumëzuar kështu me zero të gjitha të arriturat e udhëheqësve para tij në dialog, Kurti udhëtoi në kryeqendrën evropiane i shoqëruar me zëvendësin e tij, njëherit kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimi.

Me maskë në fytyrë si masë mbrojtëse ndaj virusit COVID-19, Kurti të martën e tretë të muajit qershor në Bruksel takoi Shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e ndihmësin e tij Miroslav Lajçak, për të vazhduar më pas në një takim trepalësh, siç e do zakoni.

Nga një “a distancia para un duelo” – distanca që marrin dy konkurrentët para një dueli armësh për të zgjidhur një çështje nderi si në filmat Western – siç kishte reflektuar edhe në fotografitë e bëra para takimit trelateral ku Kurti e Vuçiç shiheshin me fytyra të ngrisura e në tentim për të evituar shikimin në sy duke respektuar një distancë higjienike, kishte përfunduar takimi pa ndonjë rezultat konkret.

Takimi i parë i Kurtit me Josep Borrell në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, më 15 qershor 2021

Për më shumë se 1 orë takim me dyer të mbyllura, Kurti e Vuçiç, kishin zhvilluar “një diskutim të hapur” për të treguar secili se çka do nga dialogu.

Takimi ishte cilësuar nga të gjitha palët si “jo i lehtë”, por për Kurtin një gjë ishte e qartë: sa më shpejt që të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, “aq më e lehtë do të jetë”, meqë sipas tij pa njohje të ndërsjellët asnjëra palë nuk do të mund të anëtarësohet në BE.

Ndonëse Kurti kishte pranuar se arritja e një agrementi me njohjen reciproke në qendër nuk do të jetë e kollajshme, kishte deklaruar se nuk “është pesimist” pasi “tashmë po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi të evitojmë elefantin në dhomë”.

Ndryshe nga Vuçiç-i, Kurti i “ekzaltuar” se tashmë është pjesë e një procesi i cili për synim ka zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë, nga i cili do të dalë faqebardhë duke shënuar kështu emrin e tij me germa të arta në histori, kishte prezantuar katër ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes.

Sipas dokumentit, Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe “në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”.

Kryeqeveritari ndërsa kishte ngritur çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, ishte çështje “që nuk pret”, kishte elaboruar edhe propozimin që pas njohjes së ndërsjellët, të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke krijuar në Kosovë Këshillin Nacional për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Të tri propozimet ishin refuzuar nga delegacioni i Serbisë ndërkaq për idenë e katërt për ri-dizajnimin e Marrëveshjes së CEFTA-s në SEFTA, s’kishte pranuar përgjigje.

Situata më e zymtë e me më pak optimizëm ishte te tabori tjetër.

Vuçiç një “doajen” i procesit – krahasim me Kurtin për shkak të përvojës disavjeçare në dialog – që në start të takimit kishte shpërfillur “elefantin në dhomë” të Kurtit.

Fraza proverbiale e “Elefantit në dhomën e ndejës” ishte përdorur për herë të parë në shfaqjen muzikale “Jumbo” të vitit 1935 ku një zyrtar policor ndalon komedianin Jimmy Durante dhe e pyet “çfarë po bën me atë elefant?”, ndërsa ky i fundit ia kthen “Çfarë elefanti?”.

Për Kurtin elefanti në dhomë ishte njohja reciproke nga Serbia, ndërsa për Vuçiç-in themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, megjithatë të dy ishin futur tashmë në rolin e komedianit amerikan ndërsa injoronin praninë e elefantëve.

Vuçiç-i pas takimit fajësonte Kurtin se kishte ardhur në bisedime për t’u mos u pajtuar për asgjë.

“Kurti erdhi që të thotë: ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, theksonte Vuçiç, ndërsa pohonte se Kurti “s’dëshironte fare të bisedoi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

“Duelin” e parë Kurti – Vuçiç, më 15 qershor, e kishte uruar ndërmjetësi i procesit, Josep Borrell, i cili deklaronte se “vazhdimi i procesit është i domosdoshëm për të ardhmen e të dy vendeve”, ndërsa shprehte lumturin që takimi po mbahet në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Joe Biden, po vizitonte kontinentin evropian.

Takimi i nivelit të lartë të dialogut në Bruksel, më 15 qershor 2021

Pa asnjë pajtim konkret dhe vetëm me shprehje pozitive nga ndërmjetësit se në këtë mes “është e rëndësishme që takimi ndodhi”, Kurti e Vuçiç do të takoheshin përsëri për të mos u dakorduar për asgjë 1 muaj e ca ditë më pas.

Formati ishte i njëjtë dhe Kurti e Vuçiç do t’i thyenin shtizat në një takim trelateral vetëm pas takimeve të ndara me lehtësuesit e procesit.

Kurti në ballafaqimin e dytë me Vuçiç-in kishte shkuar përsëri “i përgatitur”.

Takimi ishte më i shkurt se zakonisht.

Pas katër pikave të prezantuara në takimin e parë, Kurti në raundin e radhës në tavolinën e bisedimeve kishte propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ishte refuzuar nga pala tjetër “ende pa u lexuar”.

Për Kurtin, injorimi, tregonte “një mos-gatishmëri për marrëveshje” ndërsa theksonte se “Deklarata e Paqes” flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave.

Kurti shprehej i zhgënjyer se takimi i dytë kishte përfunduar pa një deklaratë të përbashkët duke fajësuar palën serbe se “nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit ‘ballafaqimi me të kaluarën’”.

“Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, pohonte ai.

Shefi i Qeverisë ankohej për stërzgjaten e këtij procesi, meqë sipas tij një gjë e tillë vinte si pasojë e evitimit të thelbit të dialogut që ishte njohja ndërsjellët.

“Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, mirëpo Serbia nuk dëshiron të diskutojë për këtë temë. Unë e kam theksuar disa herë që, për çështje teknike, i kemi ekspertët. Unë jam lider politik dhe do të flas për çështje politike. Dhe, thelbi është: njohja e ndërsjellë”, theksonte Kurti duke shprehur bindjen e tij se “Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kosova duhet ta njohë Serbinë dhe gjithçka tjetër është pastaj e zgjidhshme dhe e kollajshme”.

Kurti, pas takimit, në një prononcim për media, bënte të ditur se në sallën ku po mbaheshin bisedimet janë shkëmbyer edhe disa “dhurata”.

“Unë u kam dhënë tri libra, ndërsa ata më kanë dhënë më shumë se tri ofendime. Por, librat janë më të rëndësishëm”, tregonte Kurti duke bërë të ditur se delegacionit serb i kishte dhuruar librin e Natasha Kandiqit, që dokumenton vrasjen e fëmijëve në Kosovë më 1998/99, një libër me rrëfimet e grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë dhe një libër për shfarosjen e shqiptarëve nga viti 1878 deri më 1884.

Në anën tjetër, Vuçiç takimin e dytë me Kurtin e konsideronte si takimin “më të keq të mundshëm në dialog”.

Intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, përmbajtja nga veprimet që potencialisht mund të destabilizojnë situatën në terren, dhe takimet e rregullta njëmujore të kryenegociatorëve si dhe përgatitja e takimeve të nivelit të lartë sipas nevojës, ishin propozime të BE-së gjatë takimit të së hënës së 19 korrikut të vitit 2021, të cilat Serbia i kishte pranuar plotësisht, pohonte Vuçiç.

Vuçiç, pas takimit do të akuzonte Kurtin se gjatë gjithë kohës ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtim të Serbisë dhe të BE-së.

“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth asaj që të shtyhet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërmjetësitë BE-së nuk po besojnë atë që po dëgjojnë. Kurti u kthye në shekullin XIX. Siç po e shihni, jam i brengosur”, shtonte Presidenti i Serbisë.

Si “të tensionuar” e kishin cilësuar takimin e korrikut të vitit 2021 edhe ndërmjetësit e procesit.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, thoshte Lajçak.

Ndërsa shefi i tij, Borrell, kërkonte që Kosova dhe Serbia të mbyllin “kapitullin e të kaluarës së dhimbshme”, meqë sipas tij, “e ardhmja ishte më e rëndësishme se e kaluara”.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre”, pohonte diplomati spanjoll.

Kryeministri kosovar dhe presidenti serb u ndan edhe për të dytën herë pa asgjë konkrete, duke iu shkaktuar kokëçarje zyrtarëve të Brukselit – elefantët në dhomë ishin shpërfillur përsëri.

Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, 18 korrik 2021

10 muaj më vonë më 4 maj të vitit 2022, Kurti e Vuçiç, do të takoheshin përsëri.

Kësaj radhe në një format jo edhe aq të zakonshëm.

Përveç formatit, e jashtëzakonshme ishte edhe situata gjeopolitike në botë pas agresionit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

I deleguar i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do t’i bënte bashkë liderët shtetërorë të të dy vendeve në një darkë jo-formale në pallatin Borsig që gjendet në periferi të Berlinit, pas takimeve të ndara që Kurti e Vuçiç kishin realizuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Scholz, pas takimeve kokë më kokë njëherë me Kurtin e më pastaj me Vuçiç-in, kishte theksuar se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.

Scholz pohonte se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.

Për darkën jo-formale e cila kishte zgjatur jo më pak se 1 orë e gjysmë, Kurti ishte deklaruar përmes një komunikate për media e lëshuar nga zyra e tij.

Gjatë takimit, bënte të ditur komunikata, Kurti kishte ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke.

Ndërsa po për të njëjtën takim presidenti Serb ishte deklaruar në konferencë për media të premten e gjashtë majit, duke konsideruar darkën jo-formale vetëm si një “përpjekje në dialog”.

Vuçiç do të fajësonte Kosovën për kthimin e dialogut në një gjendje “inekzistente” duke theksuar se Prishtina zyrtare kishte refuzuar një deklaratë të përbashkët nga takimet në Berlin.

Darka jo-formale në Berlin, 4 maj 2022

Tre muaj pas darkës jo-formale, Kurti e Vuçiç do të takoheshin për të katërtën herë me radhë në kuadër të dialogut në dritën e tensioneve në Veri, ku serbët lokalë kishin bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat ishin ngritur për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kishin të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe, për t’u larguar më pas meqë Qeveria e Kosovës kishte shtyrë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Takimi i 18 gushtit të vitit 2022 nuk ishte i zakonshëm meqë ishte fokusuar në menaxhim krizash e te përqendrimi në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Nga takimi i zhgënjyer ishte larguar, Josep Borrell, duke kumtuar lajmin se Kosova dhe Serbia nuk kishin arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, por se ishin pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.

Diplomati spanjoll theksonte se tensionet në Veri të Kosovës kishin ardhur në kohën kur kontinenti evropian po përballej me një situatë të rrezikshme për shkak të sulmit rus ndaj Ukrainës.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme”, pohonte ai.

Për takimin e 18 gushtit ishte deklaruar edhe Kurti.

Sipas tij në takimin për menaxhimin e krizës në Veri ishte diskutuar për zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe ri-regjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.

“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, deklaroi Kurti, duke shtuar se katër propozime lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Lajçak.

Ai kishte quajtur gënjeshtra deklaratat se pala serbe ishte treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.

Serbia në anën tjetër pretendonte asokohe se ka këmbëngulur që qytetarët nga Veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, dhe që automjetet e tyre me targa “KM”, “PR”, etj., t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës – “KS”, e jo “RKS”.

Me një solucion të tillë nuk pajtohej Kosova.

Për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve për hyrje/dalje për qytetarët e të dyja shteteve.

“Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, pohonte Kurti.

Sa i përket ri-regjistrimit të veturave, Kurti deklaronte se targat “KS” nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë.

Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, 18 gusht 2022

Ndonëse në takimin paraprak Borrell ishte zotuar se Kurti e Vuçiç do të takohen më shpesh, takimi i radhës ndodhi pas tre muajve.

Për të pestën herë me radhë Kurti e Vuçiç u bënë bashkë nën ndërmjetësimin e negociatorëve evropianë për të diskutuar sërish temën e targave të automjeteve, këtë herë me një situatë më të përkeqësuar në terren, pas vendimit të Listës Serbe – forca politike e serbëve të Kosovës – për të djegur mandatet duke u tërhequr nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në Veri të vendit.

As në takimin e 21 nëntorit të vitit 2022 marrëveshje mes palëve nuk pati, Borrell doli para mediave pa diçka të re, ndonëse fajësoi në mënyrë eksplicite palën kosovare për mos-arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot, një gjë e tillë lë vakum shumë të rrezikshëm sigurie. Për hirë të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiç e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, deklaronte Borrell.

“Kokëfortësia” e Albin Kurtit në emër të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit në Veri duke tentuar me ngulm të zbatojë një vendim për targa nga i cili hoqi dorë më pas e kishte shndërruar në palë konstruktive Serbinë në sytë e ndërkombëtarëve.

Propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës ishte e papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, pohonte Kurti.

“Në propozimin që na e kanë sjellë më herët Borrell dhe Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, deklaronte Kurti.

Sipas tij, Borrell “hoqi dorë nga ky afat” dhe nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Vuçiç në anën tjetër pas takimit deklaronte se Beogradi zyrtar do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell.

“Ai kërkoi që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha Vuçiç.

Takimi i nivelit të lartë në dialogun Kosovë – Serbi, 21 nëntor 2022

Kthesa e madhe në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas 1 viti e gjysmë bisedime e takime si në nivel të lartë ashtu edhe atë të kryenegociatorëve pa ndonjë marrëveshje konkrete, ndodhi më 9 shtator të vitit 2022 me inkuadrimin në skenë të Francës e Gjermanisë.

Loja ndryshoi të premten e dytë të muajit shtator pas takimit që Lajçaku mbajti së bashku me këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës, Jenns Plottner dhe Emmanuel Bonne, në fillim me kryeministrin kosovar e më pastaj me presidentin serb.

Kurti e Vuçiç pranuan nga këshilltarët e presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kanceralit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kornizën e re të marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, e quajtur ndryshe si propozimi franko-gjerman.

Propozim ky i cili u shkri në Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua të paktën gojarisht më 27 shkurt në Bruksel, në takimin e gjashtë të radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it.

Propozimi franko-gjerman mbi të cilin u dizajnua kjo Marrëveshje është formuluar sipas parimit “askush fitues, askush humbës” meqë propozimi detyron palët, në këtë rast, Kosovën dhe Serbinë, të fitojnë diçka në këmbim të humbjes së diçkaje tjetër.

Dokumenti i përbërë prej 11 nenesh – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës kishte thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Vetë Kurti i cili nisi rrugëtimin e tij në këtë proces duke përsëritur në çdo takim, panel, paraqitje për media, debate, se pa njohje reciproke s’ka marrëveshje me Serbinë, kishte hequr dorë nga njohja de jure dhe ishte mjaftuar me një njohje të tërthortë: de facto.

Kurti madje marrëveshjen e arritur më 27 shkurt do të cilësonte si “marrëveshjen më të mirë të mundshme që Kosova mund të arrijë në kushtet aktuale”, për të cilin marrëveshje zëvendësi i tij dhe personi i dytë më i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, do të pranonte se Kosova bëri një lëshim të madh duke hequr dorë nga njohja formale me Serbinë.

Marrëveshja, po ashtu, përfshinte zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Qeveria e Kosovës ishte kategorikisht kundër.

Më 27 shkurt elefanti i Vuçiç-it u bë shumë më i dukshëm se ai i Kurtit, i cili për një kohë të gjatë do të jetë inekzistente.

Jens Ploetner, Miroslav Lajçak, Emmanuel Bonne dhe Albin Kurti

Vetëm 20 ditë më pas Kurti e Vuçiç do të takoheshin sërish, për herë të parë nikoqiri i takimit nuk do të ishte Brukseli.

Ndërtesa ku ishin zhvilluar negociatat për Marrëveshjen e Prespës – ujdia e cila e ka mbyllur kontestin e më shumë se dy dekadave mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për çështjen e emrit të Maqedonisë – përsëri ishte mikpritëse e një takimi që thënë me fjalët e Josep Borrell, përbënte një peshë të madhe “për historinë evropiane”.

Marrëveshja e Prespës u cilësua si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht si dokumenti që ka hapur rrugën e perspektivës euroatlantike të vendit.

Mendohej se pikërisht me këtë synim Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të dytën herë me radhë në më pak se një muaj për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua të paktën gojarisht më 27 shkurt në Bruksel nga të dyja palët.

Takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, sipas diplomatit Borrell, përfundoi me pajtueshmërinë e palëve për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt BE-së”, pohoi Borrell.

Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, tha ai, ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, tha kryediplomati i BE-së.

Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kurti, në anën tjetër tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkohë Vuçiç, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, theksoi ai duke shtuar se “pavarësisht dallimeve, kishim një bisedë të mirë”.

Në cilësinë e vëzhguesit, i pranishëm në takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Duke komentuar pajtimin e palëve, Escobar tha se ai hap derën për një integrim më të madh euro-atlantik të të dyja vendeve.

“Kjo hap derën edhe për rajonin që të hyjë në një epokë të re të paqes”, tha Escobar duke shtuar “SHBA-ja zotohet të ndihmojë me zbatimin e Marrëveshjes, që të funksionojë për të dyja vendet dhe për rajonin”, tha ai.

Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, më 18 mars 2023

Pas katër muajsh, më 14 shtator Albin Kurti dhe Aleksadër Vuçiç, do të takohen përsëri në Bruksel për të nëntën herë me radhë për të diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështje të tjera.

Kosova për herë të parë në historinë e saj në takimin e së enjtes do të ulet në tryezën e bisedimeve si e sanksionuar nga BE-ja.

Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiç-it është i pari prej kur janë rritur tensionet në Veri të Kosovës.

Tensionet janë rritur pasi banorët serbë në këto komuna nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që ata i kanë bojkotuar – dhe e kanë refuzuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët sulmuan pjesëtarët e misionit e NATO-s në Kosovë, KFOR-in në Zveçan.

BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Kosovës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.

Kosova e quajti si të padrejtë vendosjen e këtyre masave shtrënguese, ndërsa pranoi se të njëjtat po e dëmtojnë vendin në aspektin socio-ekonomik.

Ishte pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – “kokëfortësia” e të cilit u bë shkas për vendosjen e këtyre masave – ai i cili pranoi se vendi po vuan nga masat shtrënguese.

“Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore”, tha ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTV SLO.

Duke folur për bilancin ekonomik që i kanë shkaktuar masat shtrënguese të Unionit ndaj Kosovës, Kurti pohoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit – marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së e cila paraqet një fazë të marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe BE-së – aktualisht është e ngrirë.

“Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i BE-së”, tha ai.

Në takimin e 14 shtatorit pritet të diskutohet për këto tensione dhe gjetjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Nga historiku i takimeve paraprake pak ka shpresë se mund të kthehet ky i sotmi në një takim historik.

Dialogu, po të shkruante Glauk Konjufca dikur, ka mbetur “as ksi as asi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore