Kosova

Policia parandalon edhe dy raste të kontrabandës në brezin kufitar Kosovë-Serbi


Ilustrim.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se në dy raste të ndara më 11 shtator ka zbuluar mallra kontrabandë në afërsi të brezit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajmin e ka kumtuar Policia përmes një komunikate për media.

Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur në brezin kufitar Serbi-Kosovë, përkatësisht në zonën e Kamenicës është ndaluar një automjet me targa të Kosovës, i cili “është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Kosovë”.

“Pas pranimit të informatave për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar Serbi-Kosovë, njësiti Task Forcë ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, ku në zonën e Kamenicës është ndaluar automjeti Mercedes furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, ku drejtues ishte personi R. M., 1988 mashkull kosovar”, thuhet në komunikatë.
Foto: Policia e Kosovës.

Kurse, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën Stublinë-Dobërqan të Gjilanit, ku Policia ka tentuar që të ndalojë një automjet me targa serbe.

“Në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë, i njëjti gjatë vozitjes ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke dalë nga rruga”.

Nga Policia është thënë se në këtë makinë janë gjetur pajisje të ndryshme kontrabandë, “ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”.

Edhe më 8 shtator, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Zubin Potok janë hasur tri automjete ma mallra të kontrabanduara dhe është arrestuar një person.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, duke thënë se mallrat janë dërguar në Doganë.

“Ne tri raste te ndara janë hasur tri automjete ne te cilat dyshohej se kishte mall te kontrabanduar”.

“Ne lidhje me rastet me urdhër te prokurorit një person është arrestuar dhe me pas është liruar ne procedure te rregullt, kurse mjetet bashke me mallin e kontrabanduar janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme”, thuhet në raportin e PK-së.

Edhe me 10 gusht, policia e Kosovës përmes një komunikate për media kishte bërë të ditur se ka parandaluar edhe një rast të kontrabandës me mallra në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore