Kosova

Kurti takon senatorin zviceran, partinë e të cilit pritet ta mbështesë në fushatën zgjedhore në Zvicër


Carlo Sommaruga dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte ka takuar senatorin zviceran, njëherësh Kryetarin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin e Zvicrës, Carlo Sommaruga, nga radhët Partisë Socialdemokrate.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Sommaruga, kanë diskutuar për situatën politike në vend, zhvillimet e fundit, qeverisjen e deritanishme dhe për rolin e rëndësinë e diasporës shqiptare në Zvicër.

Mediat zvicerane javë më parë bënë të ditur se në shtator Kurti pritet të udhëtojë në Cyrih të Zvicrës për të mbështetur Partinë Socialdemokrate në zgjedhjet federale të Zvicrës që do të organizohen më 22 tetor.

Siç raportoi mediumi zviceran, Blick, Kurti do të mbajë një fjalim në një panel diskutimi të organizuar nga kjo parti.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç ka shkruar mediumi, po tenton të përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar kështu votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

Ndonëse një vizitë e tillë nuk është ende e konfirmuar, shefi i Qeverisë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.

“Synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushata zgjedhore në atë mënyrë që ne të dy të fitojmë forcë”, kishte deklaruar Kurti muaj më parë.

Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.

“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”.

Kurti përfshihet edhe në fushatën zgjedhore në Zvicër, kritikohet nga partia në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore