Kosova

Aksion policor në një banesë në Veri – dyshohet për laborator të drogës


Mitrovica e Veriut.

Policia e Kosovës, është duke kryer një aksion policor në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.

Bazuar në informacionet e para nga Policia është thënë se aty mund të ketë laborator droge.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori rajonal për Veriun, Veton Elshani.

“Pas informacioneve të pranuara nga sektori për luftimin e narkotikëve Mitrovica Veri në bashkëpunim me Drejtorin Rajonale Veri ka kryer një kontroll në një banesë në rrugën e kaloshinit saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt”.

Elshani, ka bërë të ditur se kanë konfiskuar kartela grafike, poqa elektrik të cilat shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit.

“Në banesën që është shfrytëzuar nga S.M. janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilator, poqa elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llamp elektrike për laborator, 51 fishekë , 8 shok bomba të modifikuara”.

Teksa nga policia është thënë se i dyshimti nuk ka qenë aty.

Edhe më 25 shkurt të 2022, nga Policia e Kosovës ishte zbuluar një laborator droge në Veri, ku ishin konfiskuar mbi 30 kilogramë marihuanë dhe ishin arrestuar dy persona.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, këtë aksion e kishte cilësuar si një sukses të radhës të Policisë.

Tutje shtoi se pas bllokimit të rrugëve të kontrabandës në Veri, ky ishte aksioni i dytë më i suksesshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore