Kosova

Sveçla i përgjigjet Borrell-it: Arrestimet në Veri sipas ligjit, luaje rolin tënd si ndërmjetës


Xhelal Sveçla

Pas kryeministrit, Albin Kurti e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sveçla e Hoxha në një konferencë për media të shtunën një ditë pasi Policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe të armatimit në një veturë me targa nga Beogradi në Komunën e Zveçanit, deklaruan se arrestimi i djeshëm në Veri dhe të gjitha arrestimet e tjerë të serbëve janë bërë sipas ligjit.

Borrell u shpreh tejet i alarmuar nga situata e sigurisë në Veri të Kosovës, sidomos pas arrestimit të një serbi nga Policia e Kosovës dhe marshimit të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, të premten.

Prandaj Sveçla i është përgjigjur diplomatit spanjoll duke thënë se veprimet e ndërrmara nga Polciia e Kosovës janë të bazuara në Ligj, meqë Borrell tha se ndihet i shqetësuar sidomos për faktin se serbët po arrestohen nga institucionet kosovare pa procedura paraprake gjyqësore.

“Çdo veprim është i bazuar në ligj dhe procedurat e Policisë. Ftoj Borrellin ta adresojë drejt agresionin e Serbisë. Ta luajë rolin e tij si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe me deklarata të përgjegjshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës, çfarëdo trimëri të këtyre kriminelëve”, ka thënë Sveçla në konferencë për media.

Sipas Sveçlës ishte vetë Borrell ai që me ngulm kërkoi që përgjegjësit e sulmeve ndaj KFOR-it të arrestohen.

“Ne po arrestojmë ata që me dëshmi janë sulmuesit e mediave dhe pjesëtareve të KFOR-it. Por, nuk do të ndalemi me kaq. Kushdo që sulmon, do të jetë subjekt i përndjekjes. Asgjë më pak nuk mund të pritet në Republikën e Kosovës, i cili është vendi më demokratik në rajon”.

Ai madje ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është në koordinim me NATO-n dhe EULEX-in.

“Përderisa ne kemi koordinim të plotë me ta, nuk do të futesha në deklarime politike të cilat absolutisht janë të paqëndrueshme të Borrellit në Bruksel. Me EULEX dhe KFOR këtu ne në vazhdimësi kemi jo vetëm komunikim, por edhe koordnimim me ta”.

Të njëjtën bindje e ka ndarë edhe Drejtori i Policisë, i cili nënvizoi faktin se të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës bëhen përmes një procesi të hetimeve.

“Të gjitha veprimet tona policore, përfshirë arrestimet bëhen përmes procesit të hetimeve. Asnjë arrestim nga Policia e Kosovës nuk është arbitrar, as i jashtligjshëm, por i bazuar në ligj”.

Kurti e Borrell “kapen” në Twitter një ditë pas takimit ku u dhanë sinjale pozitive për situatën në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore