Kosova

Kryetari i Parlamentit të Austrisë në Kosovë, takohet me Konjufcën


Wolfgang Sobotka, Kryetari i Parlamentit të Austrisë

Kryetari i Parlamentit të shtetit të Austrisë, Wolfgang Sobotka ka ardhur në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Gjatë kësaj vizite, Sobotka do të zhvillojë edhe një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e Kuvendit të Kosovës.

‘’Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka’’, thuhet në njoftim të administratës së kuvendit.

Takimi pritet të nis nga ora 11:30 dhe pas takimit do të mbajë konferencë për media.

“Pas përfundimit të konferencës, kryetarët Konjufca dhe Sobotka do të marrin pjesë në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti” dhe do të bashkëbisedojnë me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit”, thotë njoftimi zyrtarë.

Konjufca i shkoi në konak Sobotkës, gati një vit më parë.

Më 9 qershor të vitit të kaluar, në vizitën e tij zyrtare, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ishte pritur nga homologu i tij Wolfgang Sobotka, më parlamentin austriak.

Gjatë këtij takimi, kryeparlamentari Sobotka kishte konfirmuar gatishmërinë e Republikës së Austrisë, në veçanti të parlamentit austriak, për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërkaq Konjufca, kishte theksuar se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore