Kosova

Haradinaj përkujton të rënët në Mejë: Të gjithë u vranë pa arsyeje dhe pa asnjë të drejtë


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Meje duke u shprehur se “këtu po shohim trupa dhe shpirtra të pafajshëm”.

Ai në një deklaratë për media ka thënë se të gjitha vrasjet që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë qenë të paarsyeshme.

“Të gjithë këta janë vrarë pa arsyeje, pa asnjë të drejtë. Një pjesë e trupave të tyre vazhdojnë të jenë në Serbi edhe sot ka të pagjetur, kjo është tragjedia më e madhe, masakra më e madhe në Kosovë. Janë 377 të vrarë, të gjitha të moshave”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.

Ai tutje ka theksuar se njerëzit të cilët kanë sakrifikuar për Kosovën kanë pasur vetëm një faj.

“Faji i tyre ka qenë që kanë dashur të jenë të lirë, përfat sakrifica e tyre këto flijime u bashkuan edhe me ndihmën e NATO-së edhe nga Amerika dhe kështu erdhi liria. Edhe pse kemi dhimbje, emocione kur jemi me familje po ashtu ndjehemi të lehtësuar që Kosova është e lirë edhe besojmë edhe në NATO”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

“I përjetëshëm kujtimi këtu për të rënët në Meje”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në 24-vjetorin e masakrës së Mejës.

Krasniqi, u shpreh se pa u gjetur edhe i zhdukuri i fundit, nuk mund të ketë drejtësi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

“Si çdo 27 prill edhe këtë vit sa herë që vijmë këtu në ‘Lëndinën e Krenarisë’ në Mejë. Nuk ka sesi të kujtojmë këtë rrugëtim të rëndë e tragjik të popullit tonë që sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot dhe padyshim si në çdo ditë tjetër por në mënyrë të veçantë në këtë ditë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen  e pambaruar të familjarëve në radhë të parë por edhe të kombit tonë në përgjithësi”, tha Krasniqi.

“S’ka si të mos mendojmë se nuk është bërë mjaftueshëm. Për disa prej familjarëve, liria ende nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbuluar fati i të pagjeturit të fundit nuk mund të ketë drejtësi”.

Përveç masakrës së Mejës në Kosovë gjithashtu të enjten e 27 prillit është shënuar Dita e të Zhdukurve.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore