Shqipëria

Begaj dhe zyrtarët shtetërorë urojnë Kosovën: Sa më parë në KiE


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar zyrtarisht vendimin e Këshillit të Evropës, për ta kaluar aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare, duke hedhur kështu një hap më tej drejt aderimit të vendit në strukturën e lartë evropiane.

“Përshëndes vendimin e Komitetit të Ministrave për kalimin në Asamblenë Parlamentare të kërkesës legjitime të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Urime Kosovë dhe bëhu sa më shpejt anëtare me të drejta të plota në KiE”, shkruan Begaj.

E para që reagoi lidhur me vendimin ndërkaq, ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila e quajti zhvillimin “një hap të parë të rëndësishëm”.

“Lajm i mirë nga Këshilli i Evropës! Komiteti i Ministrave vendosi të pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe t’ia dërgojë Kuvendit Parlamentar për mendim. Një hap i parë i rëndësishëm për t’i dhënë Kosovës vendin e merituar në Këshill!”, shkruan kryediplomatja në Twitter.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla garantoi në reagimin e saj se institucioni që ajo drejton “do të vazhdojë lobimin deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe evropiane”.

“Një lajm i bukur nga Strasburgu. Komiteti i Ministrave miratoi sot kalimin për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare  të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë lobimin deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe evropiane”, u shpreh kryekuvendarja shqiptare.

Kërkesa e Kosoves për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës u miratua me 33 vota, nga 31 vota të nevojshme, që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Njoftimin për kalimin e kësaj faze të parë në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në KiE e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në median sociale “Facebook”.

KiE: Merret vendim që aplikimi i Kosovës t’i përcillet Asamblesë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore