Kosova

Serbët protestojnë në Veri, kërkojnë largimin e Policisë së Kosovës


Protesta në Veri

Një grumbull i qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, këtë të mërkurë, kanë protestuar duke shprehur indinjatën e tyre pas plagosjes së një qytetari serb, raporton portali serb i lajmeve me seli në Kosovë, “Kossev”.

Protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrime “Largohuni nga këtu”, “nuk i përkisni këtij vendi”, “Evropë, po shtien mbi ne” duke marshuar kështu nga komuna e Leposaviqit në drejtim të urës së Bistricës, aty ku edhe u plagos qytetari serb.

Afër protestuesve, ka pasur zyrtarë policorë dhe vetura të EULEX-it.

Protestuesit kanë nënshkruar edhe një peticion për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu.

Prezentë në këtë protestë kanë qenë edhe disa zyrtarë të Listës Serbe.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

Pamje nga protesta e serbëve në Veri.

Çfarë ndodhi?

Serbët në Veri të Kosovës gjatë natës kishin vendosur pranë postbllokut ku është e stacionuar Policia e Kosovës, në afërsi të Urës së Bistricës në Komunën e Leposaviqit, një “tabel komunikacioni” me mbishkrimin “Forcat speciale të Kurtit po gjuajnë ndaj serbëve”.

Tabela në fjalë, siç raporton “Kosovo Online”, ishte vendosur gjatë natës pikërisht në vendin kur të hënën në mbrëmje u raportua për një plagosje të një serbi.

Ndonëse fillimisht Policia e Kosovës, kishte mohuar përfshirjen në rastin të gjuajtjes me armë zjarri ku si rrjedhojë kishte mbetur i plagosur një qytetar serb, ishte Inspektorati Policor i Kosovës ai i cili kishte njoftuar se janë arrestuar katër zyrtarë policorë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e një serbi në Veri të Kosovës të hënën.

Njëri nga zyrtarët policor, sipas IKP-së, dyshohet se kishte kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, ndërsa të katër po ashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.

Lidhur me rastin ishte deklaruar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili kishte sqaruar se si ka ndodhur plagosja e një qytetari në Veri.

Ai kishte thënë se vozitësi nuk ishte ndalur pas sinjalit të policit duke vazhduar në drejtim të Zveçanit, ku zyrtari policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës duke plagosur vozitësin.

Për plagosjen e një serbi në Komunën e Leposaviqit kishte reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke shprehur shqetësimin për rastin.

Hovenier, kishte bërë të ditur se SHBA-të janë shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë nga ana e Policisë së Kosovës.

“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil”, kishte shkruar Hovenier në rrjetin e tij social në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore